TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit do të shprehet nesër më 22 shtator, në orën 13:00, për masën e sigurisë ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Biznesmeni kishte ankimuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në seancën e mbajtur sot, gjyqtari Florjan Kalaja ka dëgjuar palët, avokatin mbrojtës, vetë Agasin, si dhe prokurorët e SPAK. Pasi u njoh me pretendimet e palëve Apeli u tërhoq për marrjen e vendimit, i cili do të shpallet nesër.
Biznesmeni Ergys Agasi ndodhet në paraburgimin e Bradasheshit. Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit së bashku me ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpatarakun. ZËRI raportoi se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës.
Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’.