TIRANË- Ergys Agasi do të vijojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
I njëjti vendim është marrë edhe për ish-efektivin Uljan Shpataraku, i cili ndodhej në automjet me Agasin në momentin e arrestimit.
VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues
monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Florjan Kalaja, sot më datë 22.09.2026, disponoi për
çështjen penale nr. 43 akti, datë 17.09.2026 regjistrimi, mbi ankimin e
personit nën hetim/ankues E.A, në lëndë të masave të
sigurimit, si vijon:
– Miratimin e vendimit nr. 62, datë 28.08.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Në bazë dhe për zbatimin të nenit 103 të K.Pr.Penale ndalohet publikimi i vendimit deri në mbylljen e hetimeve paraprake.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 22.09.2026.
Biznesmeni kishte ankimuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Biznesmeni Ergys Agasi ndodhet në paraburgimin e Bradasheshit. Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit së bashku me ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpatarakun. ZËRI raportoi se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës.
Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndërsa iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit pasiv’. /ZËRI