Aktualitet

Çështja ‘Toyota Auris’, GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Radovan Çelës

Në seancën e sotme, mbrojtja e Çelës ka bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, kështu vendimi për këtë aspekt të dosjes pritet që të merret më 12 maj.

k.m.
Çështja ‘Toyota Auris’, GJKKO kalon për gjykim
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen e Radovan Çelës për dosjen "Toyota Yaris". Në seancën e sotme, mbrojtja e Çelës ka bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, kështu vendimi për këtë aspekt të dosjes pritet që të merret më 12 maj. Avokati Radovan Çela akuzohet për "korrupsion" dhe "ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë".

Çela ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se nuk ka pasuri llogari në “Sky ECC”. Por pavarësisht pretendimeve të tij, avokati është pjesë e dosjes “Toyota Auris”, në të cilën janë të përfshirë edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Eriona Daupaj dhe Astrit Vladi. Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY ECC që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK. Gjatë hetimeve u zbuluan komunikimet e të pandehurve për çështjet, ndërsa u pyetën dhe një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova./ZËRI

Poll

MOS HUMB