TIRANË- Kreu i Inspektoriat të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka mbledhur sot në një takim krerët e institucioneve të drejtësisë, ku ka folur mbi sulmet që i janë bërë gjyqtarëve nga aktorët politikë. Metani tha se gjykatat janë nën trysni të vazhdueshme, të cilën e konsideroi antikushtetuese, ndërsa kërkoi nga magjistratët që të jenë të vetëpërmbajtur, pasi kjo e fundit nuk është dobësi.
Po ashtu Metani u ndal dhe te kushtet në të cilat punojnë sot një pjesë e mirë e gjyqtarëve, të cilët kanë një numër shumë të madh çështjesh në ngarkim, për shkak të vakancave të krijuara.
Metani: U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë.
Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë.
Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikerisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit.
Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij.
Përveç sulmeve të opozitës, edhe kryeministri Rama ka nisur së fundi një fushatë të lincimit të gjyqtarëve, që sipas tij marrin vendime kundër interesit publik./ZËRI
