
TIRANË-Prokuroria e Posaçme (SPAK), po heton 16 çështje penale për zgjedhjet e 11 majit, 4 prej tyre të nisura me iniciativë të prokurorëve. SPAK bën me dije se janë pranuar gjithashtu 19 kallëzime nga qytetarët përmes platformës “Denonco krimin zgjedhor”.
Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, SPAK konfirmon se nga të gjitha materialet kallëzuese të dorëzuara pranë saj, janë regjistruar gjithsej 16 çështje penale, të lidhura me procesin zgjedhor. Nga këto, 4 procedime janë regjistruar kryesisht, me nismë të vetë prokurorëve.
Në lidhje me denoncimet online, në platformën zyrtare “Denonco krimin zgjedhor” të SPAK janë depozituar deri tani 19 kallëzime nga qytetarët. Asnjë prej këtyre denoncimeve nuk është kthyer në procedim penal nga SPAK, por ato janë transferuar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ose janë dërguar për verifikime të mëtejshme në Policinë e Shtetit.
Edhe më herët vetë kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani bëri me dije se pranë institucionit që ai drejton kanë ardhur denoncimet e para lidhur me krimet zgjedhore. Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2024 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dumani tha se hetimet për disa denoncime kanë nisur.
SPAK ka njoftuar një sërë masash për zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025. SPAK ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI