
TIRANË-Në dosjen e tjetërsimit të pronave shtetërore në Shkallnur të Durrësit, ku i pandehur është marrë ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, rezulton një episod ku është marrë një sipërfaqe toke prej 13 mijë e 500 m2 tokë, duke përdorur dokumentet e falsifikuara të një gruaje të verbër.
Sh. Gjeçi, prej vitit 2013 kishte humbur shikimin dhe ka përfituar statusin e të verbrit, duke mos pasur mundësi as të shikojë por as të shkruajë. Mirëpo sipas Oranews në dokumentet e hipotekës së Durrësit, rezulton se ajo ka kryer një seri veprimesh noteriale duke autorizuar persona të ndryshëm me qëllim përpilimin e dokumenteve hipotekore e deri tek shitja e një sipërfaqe toke prej 13 mijë e 500 metra katror në Shkallnur të Durrësit.
Sipërfaqja fillimisht është regjistruar në emër të N., Sh., dhe K Gjeçit. Më tej është shitur në qershor 2015 nga përfaqësuesi i tyre me prokurë. Por vetë N. Gjeçi gjatë marrjes në pyetje nga SPAK, ka treguar se nuk kishte asnjë dijeni për hipotekimin e kësaj pasurie dhe s’kishte asnjë dijeni për kontratën e shitjes, duke shtuar se personin e autorizuar G. Tushe nuk e njihte dhe as kishte lëshuar prokurë përfaqësimi për këtë shtetas.
Më tej një muaj më vonë nga shitja e tokës, në korrik 2015, në cilësinë e drejtuesit të hipotekës, Jurgis Çyrbja, ka lëshuar certifikatën hipotekore të kësaj pasurie për dy blerësit A. Xhafa dhe M. Merja. Këta dy të fundit, pasi kanë marrë letra e pronës, kanë vendosur në 2018 të marrin një kredi prej 23 mijë euro, duke vendosur si garanci hipotekore pikërisht këtë pronë.
Përgjatë 3 viteve hetime, SPAK ka zbuluar se Jurgis Çyrbja në cilësinë e regjistruesit të hipotekës së Durrësit në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të këtij institucioni dhe kryetarin e komunës Shkallnur, kanë kryer veprime duke shpërdoruar detyrën në 5 raste. Bëhet fjalë për regjistrimin e 5 sipërfaqeve të tokë në fshatin Rrashbull.
Sipas SPAK, rezulton se ish-deputeti ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky EÇ” me persona të shpallur në kërkim. Gjithashtu, Çyrbja akuzohet se ka siguruar strehë për Altin Hajrin, një person që është shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës si dhe ka informuar subjekte të drejtësisë për lëvizjet e operacionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që tu shpëtonin prangave. Një prej tyre është edhe Kreshnik Farruku alias Kreshnik Budlla. Bashkë me Çyrbjan u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”./ZËRI