
TIRANË- Gjuha shqipe është një nga më të përdorurat në aplikacionin e koduar "Matrix", i cili u godit vetëm pak orë nga skuadra e Europol.
ZËRI ka mundur që të kontaktojë me zyrën e shtypit të Europol via telefonatë, dhe ka mundur që të konfirmojë se gjuha shqiptare është një nga 33 që janë dedektuar nga autoritetet e huaja.
"Po, mund t'ua konfirmoj se gjuha shqipe është një nga më të përdorurat në rrjetin Matrix. Materialet tashmë janë në duart e autoriteteve holandeze dhe franceze. Kështu që është në dorën e tyre se çfarë do të bëjnë me materialet e mbledhura nga serveri i aplikacionit,"- thanë nga Europol për "ZËRI".
Në këto kushte, mbetet për t'u parë nëse në Shqipëri do të vijnë të dhënat e grumbulluara, njëjtë siç u veprua në rastin e "Encrochat" dhe "SkyECC". Materialet e këtyre aplikacioneve janë dorëzuar në Strukturën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe kanë shënuar goditjen e disa grupeve kriminale që operonin në Shqipëri dhe jo vetëm. Po ashtu, kanë zbardhur edhe shumë vrasje që prej vitesh ishin mbetur mister.
MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Kështu nisi dhe hetimi! Shumë shpejt u zbulua se infrastruktura e kësaj platforme ishte më komplekse se platformat që tashmë janë të njohura për publikun, Sky ECC dhe EncroChat. Në këtë rast, themeluesit e aplikacionit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt për t'u përdorur nga kriminelët./ZËRI