VLORË- Policia e Shtetit dyshon se gjatë ndjekjes mes automjeteve të dy biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, ka patur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Burime i thanë ZËRI, se situata është agravuar në momentin që të dyja grupet kanë dalë nga lokali.
Aty ka nisur një ndjekje mes automjeteve, ku dyshohet se përveç automjetit Range Rover ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, ku u gjetën dy plumba, gëzhojat janë gjetur edhe në një tjetër automjet. Bëhet fjalë për raportimin e mëparshëm të ZËRI; për mjetin audi a8, në pronësi të shtetasit Renato Kodra, me targë AB 295 YB, që u gjet i djegur në Radhimë.
Paraprakisht mësohet se brenda Audit janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, çka konfirmon se përveç Luan Muçës dhe Madrid Lleshajt, të cilët u dëmtuan gjatë aksidentit ka patur edhe person tjetër të plagosur. Ky personazh dyshohet se ka qenë në automjetin tip Audi A8. Policia është duke mbajtur në vëzhgim spitalet e vendit për të parë nëse do të paraqitet dikush për ndihmë mjekësore.
Paralelisht, në kërkim janë shpallur 6 persona, mes tyre edhe vëllai i biznesmenit Luan Muça, Bujar Muça, i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.
Por çfarë ka ndodhur në Radhimë?
Paraditen e sotme, rreth orës 11:30, në Hotel Regina, në pronësi të Vasil Bedinajt, shkuan 8 makina me 18 persona, mes tyre edhe dy vëllezërit Muça dhe truprojat e tyre të Swat Security. Burime i thanë ZËRI, se ata ishin thirrur për sqarim nga Vasil Bedinaj. Ky i fundit ishte me personazhe të tjerë të botës së krimit, mes tyre edhe ish policë. Pasi kanë shkuar për të diskutuar, situata është tensionuar për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me një tokë në Dhërmi, siç raportoi edhe ZËRI. Me të dalë jashtë situata u agravua ku janë përdorur edhe armët. Ndërkohë vijon hetimi për të saktësuar dinamikën dhe personat e përfshirë./ZËRI