
TIRANË-Një konflikt mes disa personave u raportua mesditën e djeshme (29 prill) në zonën e Ali Demit në Tiranë. Policia njoftoi se incidenti ndodhi rreth orës 14:00 në ambientet e një zyre elektorale të Partisë SocialDemokrate në zonën e “Ali Demit”. Në lidhje me konfliktin në kërkim janë shpallur shtetasit Arjan Telhallari dhe djali i tij, Lorenco Telhallari.
Njoftimi i policisë:
Shpallën në kërkim shtetasit L. T., 24 vjeç dhe A. T., 67 vjeç, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se ditën e djeshme, në një lokal, në rrugën “Ali Demi”, fillimisht janë konfliktuar për motive të dobëta, 24-vjeçari dhe 1 shtetas tjetër. Pas konfliktit, shtetasi L. T. është larguar nga vendngjarja, ku është rikthyer më pas, me babanë e tij, shtetasin A. T., i cili dyshohet se ka patur armë me vete. Ata kanë kërkuar në zonë, 27-vjeçarin me të cilin ishte konfliktuar shtetasi L. T., dhe gjatë kësaj kohe kanë dëmtuar me send të fortë, xhamin e një zyre elektorale që ndodhet në këtë zonë. Punohet për kapjen e shtetasve të implikuar në këtë rast dhe për zbardhjen e rrethanave.
Sipas burimeve nga policia, një i ri është përfshirë fillimisht në sherr me një tjetër në këtë zonë. Pas konfliktit, i riu është larguar dhe ka njoftuar të atin, Arjan Telhallari. Ky i fundit edhe në foton e siguruar ka qenë i armatosur, teksa shihet në zonë me një automatik "Skorpions" të zi në dorë. Dyshohet se gjatë përplasjes i kanë rënë në tokë dy fishekë, ndërsa deri tani nuk ka prova që arma të jetë përdorur. Edhe në njoftimin e Policisë bëhet me dije se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.

“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral. Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur. Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet”,-njoftoi Policia.
Në lidhje me incidentin, Partia Socialdemokrate në reagimin e saj, sqaron se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin politik të partisë. Ata shprehen se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të zyrës dhe se asnjë anëtar nuk është përfshirë në konflikt.
"Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi” nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambienteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat."-thuhet në reagimin e PSD.
Shkaqet e konflikti nuk dihen ende, ndërsa Policia po vijon hetimet dhe kërkimet për të bërë të mundur ndalimin e autorëve dhe për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes./ZËRI