TIRANË- Tre persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës mbrëmjen e djeshme, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në një rast pengmarrje në qytet.
ZËRI mëson se personat e arrestuar janë: Vilson Agaj, Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj.
Burime nga policia bëjnë me dije se personat e arrestuar dyshohet se prej rreth 2 javësh mbanin të izoluar shtetasin nga Kosova, Fisnik Xhaka, i cili dhe ishte dhunuar prej tyre,
Ngjarja ndodhet ende në fazën hetimore, ndërsa policia ka nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për secilin prej të shoqëruarve.
NJOFTIMI I POLICISË
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hostage”. Mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 000 eurove, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në qytetin e Vlorës, organizuan menjëherë punën për lokalizimin e banesës, kapjen e autorëve dhe lirimin e shtetasit të mbajtur peng.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve:
• J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.
Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. /ZËRI