Aktualitet

U zgjodh Avokat i Popullit, Endri Shabani ‘preket’ nga mbështetja e mazhorancës: Të ma kishin thënë më parë nuk do e besoja…

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Shabani falenderon 35 deputetët e opozitës që i dhanë fillimisht firmat për të bërë të mundur kandidimin e tj në postin e Avokatit të Popullit

E.K
U zgjodh Avokat i Popullit, Endri Shabani ‘preket’ nga
endri shabani

TIRANË- Endri Shabani ka bërë reagimin e tij të parë, pasi u zgjodh me 85 vota në postin e Avokatit të Popullit, pas debatesh të gjata në Kuvend, për shkak se deputetët e PD tërhoqën firmat për mbështetjen e tij si kandidat. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Shabani shprehet se ndihet i prekur nga mbështetja që ka marrë, ndërsa thotë se socialistët kanë vepruar me pjekuri politike. Në postimin e tij nuk fsheh zhgënjimin që ndjen me deputetët e opozitës, të cilët edhe pse mbështetën me firma kandidaturën e tij, më pas kërkuar tërheqjen e tyre, dhe rikthimin e garës në pikën zero.

Postimi i Shabanit:

Mbrëmë mora për kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit.

Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.

Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit.

E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.

Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund.

Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.

Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë.

U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve. Faleminderit!

Shabani u zgjodh me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit. Në momentin e votimit të tij ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit edhe kryeministri Rama, i cili mungoi gjatë gjithë pjesës tjetër të seancës. Shabani do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB