TIRANË-Sandër Simoni do të jetë një nga tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pas votimit të zhvilluar sot në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. Pas numërimit të votave të kandidatëve të Gjykatës së Lartë, rezultoi barazim votash mes kandidatëve, 179 vota Sandër Simoni dhe 179 vota Arbena Ahmeti.
Për shkak të barazimit 179 me 179, u zbatua procedura e parashikuar në rregullore, sipas së cilës fituesi në një rast të tillë përcaktohet me short. Shorti u hodh me gogla dhe në përfundim të tij emri i përzgjedhur ishte ai i Sandër Simonit, duke i dhënë atij mandatin si anëtar i ri i KLGJ-së.
Mbledhja e Përgjithshme e 353 gjyqtarëve do të zgjedhë tre anëtarë të rinj të KLGJ-së, nga një për secilin nivel të gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e apelit dhe Gjykatat e shkallës së parë. Procesi do të çojë në përzgjedhjen e tre anëtarëve që do të zëvendësojnë funksionarët aktualë, të cilëve u përfundon mandati më 12 dhjetor./ZËRI
