BRITANI E MADHE-Një jaht që transportonte emigrantë të paligjshëm është ndaluar në Kanalin Anglez. Shtatë persona, përfshirë ekuipazhin dhe emigrantët, janë arrestuar gjatë operacionit të Forcës Kufitare dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA).
Mediat e huaja raportojnë se pesë pasagjerë u ndaluan për shkelje të ligjeve të imigracionit, përfshirë katër shqiptarë dhe një shtetas vietnamez. Një prej tyre Pellumb Selimi, 29 vjeç – i cili ishte i kërkuar për mungesë paraqitjeje në gjykatë në lidhje me një çështje droge. Selimi është arrestuar dhe do të dalë përpara Gjykatës së Lartë në St Albans. Ndërkohë dy anëtarët e ekuipazhit, shtetas ukrainas, 43 dhe 37 vjeç, u arrestuan për lehtësim të imigracionit të paligjshëm.
Jahti, që ishte nisur nga veriu i Francës, u pikas në Kanalin Anglez të dielën pasdite (20 korrik) dhe u shoqërua deri në marinën e Gosport në Hampshire nga një anije patrulluese e Forcës Kufitare britanike.
Zyrtari i lartë hetues Julian Harriman tha se ky operacion është pjesë e një hetimi të vazhdueshëm në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe Xhandarmërinë Kombëtare, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër bandave që kontrabandojnë njerëz./ZËRI