TIRANË-Është zbardhur dëshmia e autorit që vrau një ditë më parë dy vëllezërit Selam dhe Nazmi Islamaj, në Kamëz dhe la një tjetër të plagosur, Shefqet Islamaj. Sipas dëshmisë së autorit Ngushëllim Manzi, konflikti me vëllezërit Islamaj, nisi për shkak të kalimit të një betoniereje, ndërsa situata agravoi pas një përplasjeje mes palëve.
Autori pretendon se Shefqet Islamaj kishte goditur prindërit e tij gjatë konflikti dhe kjo bëri që të nxehej. Në sherr u përfshinë edhe vëllezërit e të plagosurit dhe në konflikt e sipër, 40-vjeçari deklaron se ka marrë pistoletën që kishte në shtëpi dhe ka qëlluar drejt tyre, duke i lënë të vdekur.
"Vëllezërit kanë qenë duke kryer punime dhe betonierja vinte para shtëpisë sonë. Ne u kërkuam ta kalonin nga një rrugë alternative, pasi duhej të bënte shumë manovra. Ata nuk pranuan dhe na u kthyen keq. Shefqet Islamaj kishte shtyrë dhe goditur prindërit e mi. Kur e mora vesh këtë, u nxehа dhe e godita. Pastaj erdhën dy vëllezërit e tij, Nazmi dhe Selam Islamaj. Sherri degradoi dhe unë i qëllova me pistoletë, të cilën e kisha në shtëpi”, -ka deklaruar Ngushëllim Manzi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘Petrela’, në afërsi të repartit ushtarak të Zall Herrit. Nga të shtënat ndërroi jetë në vend Selam Islamaj, ndërsa Nazmi Islamaj u transportua me urgjencë drejt spitalit por rrugës humbi jetën për shkak të hemorragjisë. Me një plumb në gjoks, në gjendje kritike për jetën ndodhet vëllai tjetër 44 vjeçar, Shefqet Islamaj, i cili po trajtohet në spitalin e Traumës.