VLORË-Një vatër zjarri është përhapur pasditen e kësaj të hëne në zonën e Ujit të Ftohtë, mbi tunelin e Vlorës, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, zjarri është përhapur me ritme të shpejta, duke iu afruar banesave dhe duke rritur rrezikun për zonën e banuar.
Në terren kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, të cilët kanë punuar për izolimin e vatrës së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave. Ndërhyrja ka bërë të mundur frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonës së banuar.
Aktualisht, operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit vijon, ndërsa forcat zjarrfikëse mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën dhe për të shmangur riaktivizimin e vatrave. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar./ZËRI