TIRANË- Partia Demokratike do të zhvillojë sërish sot, si çdo të hënë, tubimin në atë që opozitarët e kanë quajtur "foltore" përpara Kryeministrisë. Tubimi pritet të nisë në orën 18:00 deri në 20:00, ndërsa policia e Tiranës ka marrë masat për garantimin e rendit. Sipas njoftimit të bluve, bëhet me dije se prej orës 15:00 dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohen disa akse kryesore në kryeqytet.
Njoftimi:
Tiranë/ Në lidhje me tubimin e njoftuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, që do të zhvillohet sot nga ora 18:00 deri në 20:00, përpara godinës së Kryeministrisë, Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme, nme qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit. Konkretisht:
-Nga ora 15:00 e deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të dinamikës së tubimit, mund të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, Policia e Tiranës ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve të shmangin lëvizjen në akset që do të bllokohen dhe të përdorin itinerare alternative, në mënyrë që të mos pengohet lëvizja e lirë e pjesëmarrësve në tubim.
Ky është tubimi i radhës i opozitës, pas atij të fundit më 8 dhjetor. Partia Demokratike është angazhuar kohët e fundit me mbajtjen e tubimeve, në atë që e quajnë "Foltore" përpara Kryeministrisë. Berisha ka paralajmëruar më herët se aksioni opozitar do të jetë i përjavshëm, në formën e një platforme parlamente me podium dhe foltore në Bulevardin e kryeqytetit, për t'i lënë radhën më pas skenarit për protesta kombëtare. Sipas kryedemokratit, kjo është alternativa e vetme që mbetet, në kushtet kur opozita nuk lejohet të flasë në Parlament./ZËRI