Aktualitet

I vetmi që bëri burg për mashtrimin e gjimnazistëve, Hoxhalli: “Klea Rama” nuk ishte ide e imja, lindi brenda Ministrisë së Arsimit

Ermes Hoxhalli shprehet se personazhi “Klea Rama” nuk ka qenë prodhim i tij, por ka lindur brenda Ministrisë së Arsimit, dhe roli i tij ka qenë vetëm në editimin e disa vulave dhe stampave, akt për të cilin shpreh pendesë

E.K
I vetmi që bëri burg për mashtrimin e gjimnazistëve,
ERMES HOXHALLI, DHE FOTOJA QE PERDORTE SI KLEA RAMA

TIRANË- Ermes Hoxhalli, i vetmi i arrestuar dhe dënuar për projektin që iu paraqit qindra gjimnazistëve në mbarë vendin, nën petkun e “Let’s Talk Together About US”, ka folur për herë të parë në media, në lidhje me mashtrimin që iu bë të rinjve, dhe ku u përfshi dhe Ministria e Arsimit. ZËRI denoncoi një vit më parë skemën mashtruese, ku qindra gjimnazistë në mbarë vendin u mbushën me shpresën e fitimit të bursave nga departamenti amerikan i shtetit, në një projekt që udhëhiqej nga Klea Rama, një profil i rremë që paraqitej si mbesa e kryeministrit.

Në një intervistë për Top Channel, Hoxhalli është shprehur se nuk ka qenë i vetëm në këtë skemë të ngritur, dhe la të kuptohet se ka pasur bashkëpunëtorë në Ministrinë e Arsimit, emrat e të cilëve nuk preferoi që t’i përmendte. Ai pranoi fajin në lidhje me falsifikimin e firmës së një përfaqësuesi të ambasadës amerikane në Tiranë, por sipas tij, ideja nuk ka qenë e menduar prej tij, pasi do të ishte e pamundur që të lëvizte i vetëm fijet në Ministrinë e Arsimit. Studenti i arteve, paralelisht me projektin ku fshihej pas identitetit të Klea Ramës, kishte fituar dhe një projekt tjetër nga Ministria e Kulturës, për përfshirjen e të rinjve në skenën e Teatrit, drejtim të cilin ndiqte dhe vetë i riu nga Devolli. 20-vjeçari ka firmosur kontratë me mbështetje financiare në vlerën 400 000 lekë të reja, për organizimin e një festivali me nxënësit më të mirë aktorë.

Hoxhalli rezulton student i Akademisë së Arteve, studime të cilat u ndërprenë për shkak të burgosjes së tij, ndërsa u lirua nga qelia disa muaj më parë. Sipas intervistës, ai ishte i detyruar që të pranonte rolin si Klea Rama, në mënyrë që të mund të kishte kontakte me zyrtarë të lartë, që mund ti shfrytëzonte në projekte të tjera.

Çfarë dëshmoi vetë Hoxhalli

Tani është momenti për të folur për çështjen që ka rrëmbyer vëmendjen e opinionit publik, e ka shokuar për nivelin ku mund të shkojë shkalla e mashtrimit. Por më shumë se për personazhin që kishe krijuar, sesa për faktin se sa lehtë depërtohet mbi institucionet shqiptare. A mund të na tregosh se si lindi Klea Rama?

Ermes Hoxhalli: Unë do t’ju them që nuk kam unë autorësinë e këtij personazhi.

Por ju jeni i dënuar, keni kryer burg për këtë vepër.

Ermes Hoxhalli: Patjetër që kam kryer, por kjo nuk do të thotë që drejtësia është perfekte.

Nuk e ndjen veten fajtor?

Ermes Hoxhalli: Unë e ndjej veten fajtor në një pjesë të gjësë, jam pjesë e baltës. Gjithë të tjerët që kanë qenë në lëvizje të këtij personazhi duhet të jenë para drejtësisë. Por u morën vetëm me mua dhe vulat që kisha bërë prej Ambasadës. Kaq. Dhe unë, një çmenduri që e bëra atë gjë. Nuk janë analizuar thelbi, detajet, motivet. Mbylleshin seancat brenda 5 minutash, sa për të mbyllur një dosje dhe për të kaluar në një tjetër.

Kush duhet të jetë para drejtësisë përveç teje?

Ermes Hoxhalli: Kjo gjë ka lindur në Ministrinë e Arsimit dhe ka rrjedhur më pas në të gjithë institucionet e tjera arsimore. Duhet të përgjigjen së pari zyrtarët e ministrisë se si është mundur që është futur ky projekt. Institucionet me të cilat unë jam ende në proces gjyqësor nuk kanë hedhur dritë mbi të vërtetën.

Por ti je i dënuari i vetëm, Ermes. Si e pranove kaq lehtë kur nuk ke qenë vetëm?

Ermes Hoxhalli: Drejtësia për mua është ndërgjegje. Edhe unë nuk e di se si ata flenë gjumë, si jetojnë me këtë barrë mbi supe. Se unë e kam hequr tashmë nga vetja ime.

Por si u bëre pjesë? Si nisi?

Ermes Hoxhalli: U bëra pjesë nga disa persona që njihja.

Si e perceptoje, të dukej si një lojë, si një idealizim i dikujt që do doje të ishe?

Ermes Hoxhalli: Jo si një lojë, por si një marrëdhënie merr edhe jep për diçka si kjo që u bë.

Përfitimi ishte monetar, emocional, të ishe pranë njerëzve me rëndësi?

Ermes Hoxhalli: Një mori e të gjithave, pak nga të gjitha. Mbase kjo do më hapte dyert, sepse unë nuk i kam pasur dyert gjithmonë të hapura.

Mund të na tregosh, duke u rikthyer në hapat e parë në përfshirjen në këtë skemë, cili ka qenë roli yt?

Ermes Hoxhalli: Roli im? Ka qenë editimi i disa vulave, posterave, fotove, email-eve.

Emaile që kishin përmbajtje? Me kë flisje, drejtues shkollash, përfaqësues të Ministrisë?

Ermes Hoxhalli: Emailet kanë qenë thjesht një formë shumë institucionale me përmbajtje, pra e tipit shkresa, orare, dokumente… jo marrëdhënie konfidenciale me këta drejtues, siç e përmendët ju.

Si arritët të përfshinit shkollat në rang kombëtar?

Ermes Hoxhalli: Me urdhër nga Ministria.

Si arritët të bindnit Ministrinë, vetëm me faktin se u prezantuat si mbesa e kryeministrit?

Ermes Hoxhalli: Është dhënë urdhri brenda tre ditësh. Si ka mundësi që jepet urdhri kaq shpejt?

Pse mendove se duhej krijuar ky identitet i Klea Ramës?

Ermes Hoxhalli: Për mbiemrin që kishte.

Pati efekt, siç rezultoi…

Ermes Hoxhalli: Sigurisht që pati efekt. Por që dhe Ermes të ishte aty e të vinte nga ministrja, sigurisht do të kishte efekt. Nga zv.ministrja e institucionet, pastaj të gjitha shkollat janë të detyruara ta zbatojnë si gjë. Ideja është jashtëzakonisht e mirë, por mënyra e gënjeshtërt që është paraqitur është e gabuar, sepse unë jam marrë paralelisht me projekte kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë tjetër.

A ka pasur komunikime me zë?

Ermes Hoxhalli: Sigurisht që ka pasur, si mendon se mund të flasësh mbi një vit dhe nuk do të kesh telefonata me zë?

Pse duhej të falsifikoje vulat e Ambasadës?

Ermes Hoxhalli: Për ta bërë procesin sa më të besueshëm.

Çfarë mendove në atë moment… apo nuk e mendove gjatë?

Ermes Hoxhalli: Nuk e mendova.

Si mendove pasojat?

Ermes Hoxhalli: Shiko, kur njeriu gjendet përballë një gjëje të mirë dhe që për të shkuar te ajo duhet të kalojë në pengesa shumë të këqija, gënjehet nga e mira dhe detyrohet ta bëjë pa e menduar në mënyrë të ftohtë.

Pra e besoje që studentët do shkonin me bursë, do udhëtonin drejt Amerikës?

Ermes Hoxhalli: Isha unë ai që bëra vulat dhe e dija që s’do shkonin diku.

I hartoje ti testet?

Ermes Hoxhalli: Jo, testet vinin nga Ministria apo nga QSHA, mos gabofsha, kishin eksperiencë me provimet e maturës.

Kur u trembe? Kur e kuptove çfarë po bëje?

Ermes Hoxhalli: Kur isha pjesë e saj dhe kjo gjë po bëhej shumë e madhe.

ZËRI publikoi ekskluzivisht një vit më parë dhe një video të Nina Gugës, zv.ministre e Arsimit dhe Sportit e cila i dërgonte një përshëndetje të përzemërt “Kleas”, që në fakt rezultoi të ishte një profil i rremë. Ndërkohë që qëllimet e këtij projekti, që grumbulloi të dhënat e qindra gjimnazistëve në mbarë vendin, mbeten ende të panjohura, edhe pse Ermes Hoxhalli tentoi që të jepte versionin e tij të historisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB