VAU I DEJËS-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e ish-policit Frrok Lleshaj në fshatin Paçram të Vaut të Dejës mbrëmjen e djeshme. Lleshaj po ecte në rrugë kur u qëllua për vdekje me pistoletë pranë banesës së tij. Ka qenë një prej banorëve që ka konstatuar trupin e 65 vjeçarit pa shenja jete dhe ka lajmëruar bashkëshorten e tij, e cila më pas ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur. Fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna, fakt i cili lë dyshime se autorët janë kujdesur për të përdorur një pistoletë me silenciator.
Pista kryesore gjakmarrja! Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se të riun e vrau Policia greke në rrethana që nuk dihen por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kishin gisht në këtë ngjarje kushërinjtë e tij.
Pak vite më vonë më 1995 ka dyshime të forta se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kështu kushëririn Dodë Lleshaj. Ai vuajti dënimin e Gjykatës së Shkodrës të vitit 2006 dhe u lirua më 2023. Pavarësisht dyshimeve dhe akuzave, Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.
Ndërkohë një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg. Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj. Bashkë me 65-vjeçarin që u qëllua mbrëmjen e 4 gushtit me pistoletë shkon në 5 numri i viktimave për shkak të gjakmarrjes.