TIRANË-Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën ish-futbollistit të Kombëtares dhe ish-drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare. SPAK i ka komunikuar sot akuzën e pastrimit të parave ish-futbollistit, i cili dyshohet se fshehu në emrin e tij, 2 vila të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Palasë. Një ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, i janë komunikuar 5 akuzat që rëndojnë ndaj saj.
Më 4 qershor Prokuroria e Posaçme njoftoi sekuestrimin e një vile të Belinda Ballukut me vlerë 145 mijë euro në fshatin turistik të Dhërmiut, në resortin turistik “White Rocks”. Vila dyshohet se ishte fshehur në emër të ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare.
Sipas SPAK, kjo pasuri lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, ku dyshohet se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k. Hetimet tregojnë se favorizimi ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes parapagimeve dhe mënyrës së zbatimit të kontratës. Në këmbim të këtij favorizimi, SPAK dyshon se Balluku ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 145 mijë eurosh, që sipas kontratës së porosisë përkon me vilën e sekuestruar.
Në shtator hetimet u zgjeruan, ku SPAK njoftoi se ka sekuestruar një tjetër vilë në zonën e Palasës, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrs Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme në njoftimin zyrtar bëri me dije se vila dyshohet se është fshehur përmes përdorimit të ish-drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje të vitit 2020, në vlerën 250 mijë euro. Sipas hetimeve, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është realizuar nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Sipas SPAK, Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, ka marrë përsipër investime për përfundimin e vilës në kompleksin “Green Coast” në Palasë, me vlerë që sipas preventivit shkon nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro. Kompania e tij ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH.
Balluku në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka favorizuar kompaninë në procedurën e prokurimit dhe, në këmbim, ka përfituar investimet e kryera në vilë. Pas kërkesës së SPAK, GJKKO ka vendosur më 9 shtator 2026 sekuestrimin preventiv të kësaj pasurie me sipërfaqe totale 478 metra katrorë.