Aktualitet

Futën para nga Zvicra përmes "Hawala"- SPAK sekuestron pasuritë e 3 të arrestuarve, miliona lekë cash, biznese e vila

Grupi kriminal mblidhte paratë e shumë trafikantëve të drogës dhe i sillte në Shqipëri kundrejt pagesës që ishte 6 % e vlerës.

F.I
Futën para nga Zvicra përmes "Hawala"- SPAK sekuestron
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-SPAK ka sekuestruar pasuritë në Shqipëri të Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt, të cilët më 20 korrik, së bashku me Burim Ferizajn, u arrestuan për transferimin nga Zvicra drejt vendit tonë, të miliona eurove të gjeneruara nga traikimi i drogës, përmes sistemit “Hawala”.

Pasuri të sekuestruara në emër të Ervis Ferizaj:

-Kompania “Ferizaj-78” dhe të gjitha asetet e saj.
-Një njësi tregtare në Tiranë, me vlerë 200,000 euro.
-Një vilë dykatëshe në Lalëz, Durrës, me vlerë 80,000 euro.
-77,160 franga zvicerane në para të gatshme.

Pasuri në emër të Përparim Kallbaj:

-Kompania “Kalbaj” dhe të gjitha asetet e saj.
-Gjatë kontrolleve në ambientet e kompanisë dhe banesave të përfshira në hetim, janë gjetur dhe sekuestruar edhe rreth 68 milion lekë që dyshohen se janë para të përfituara nga veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve E.F, B.F dhe P.K.

Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.442 datë 14.07.2024 ka vendosur:  Caktimin masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”  për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të shtetasit E.F, të mëposhtme:

1.1. Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me Nipt M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, si dhe gjitha asetet e kësaj shoqërie tregtare.

1.2. Pasuria e paluajtshme, nr.3/8-N6, zona kadastrale 8210, volumi 38, faqe 37, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe totale 161.67 m2, në emër të shtetasit E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.

1.3. Pasuria e paluajtshme “Vilë 2 Kate”, nr.169/77, zona kadastrale nr.2375, volumi 16, faqe 119, me sipërfaqe 162.85 m2 truall dhe sipërfaqe totale ndërtimi 140 m2, ndodhur ne Lalëz, Durrës, në emër të E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 19.12.2019 me çmimin e vendosur në kontratë prej 80,000 Eurosh.

1.4. Shuma monetare prej 77,160 frangash zvicerane.

2. Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive”  për pasuritë e luajtshme në zotërim indirekt të shtetasit P.K, të mëposhtme: 

2.1. Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me Nipt L91307007H, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.

Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.

Grupi kriminal mblidhte paratë e shumë trafikantëve të drogës dhe i sillte në Shqipëri kundrejt pagesës që ishte 6 % e vlerës. Më pas, kjo shumë, pra 6%, ndahej në mënyrë të barabartë mes Ervis Ferizajt dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër. SPAK njofton se ky sistem i transferimit të parave është përdorur nga dhjetra persona, dhe se depozitimet e shumave monetare në Zvicër janë kryer në qindra raste dhe se shumat monetare të transferuar janë në miliona euro.

Sistemi Hawala është i vështirë të gjurmohet, për shkak se është një aktivitet i kalimit të parave pa transferta fizike të tyre, dhe që kryhet kryesisht përmes një marrëveshje besimi dhe balancimin e librave të ndërmjetësve të Hawala. Sistemi e ka origjinën në Azinë Jugore gjatë shekullit të 8-të dhe përdoret në të gjithë botën sot, veçanërisht në bashkësinë islame, si një mjet alternativ për kryerjen e transfertave të fondeve. Ndryshe nga metoda konvencionale e transferimit të parave përtej kufijve përmes transfertave bankare, transferimi i parave në Hawala organizohet përmes një rrjeti "hawaladarësh" ose tregtarësh Hawala./ZËRI

Poll

MOS HUMB