TIRANË-Pavarësisht kontrolleve të rrepta, Prokuroria e Posaçme këtë herë ka njoftuar Gardën e Republikës për një monitorim me qen. Garda ka kontrolluar me një qen nuhatës ambientet e jashtme të prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme. Kontrolli vjen në një periudhë kur SPAK ka shtuar masat e sigurisë, duke u rrethuar me efektivë të Gardës së Republikës.
Veç punonjësve të repartit policor “RESI”, prej dy vitesh prezentë në SPAK është dhe Garda e Republikës, e cila kontrollon thuajse çdo muaj territorin me qen anti-eksploziv. Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se mjetet e prokurorëve, oficerëve të BKH-së, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të SPAK, janë kontrolluar të gjitha mëngjesin e sotëm.
Ndërkohë mësohet se veç veprimeve siguruese që ndërmerr Garda e Republikës, për garantimin e sigurisë SPAK ka vendosur të shpenzojë një shumë prej 649 milion lekë të vjetra duke ia besuar kompanisë “AlbaScan” për të siguruar mbrojtjen.
Kompania “AlbaScan”, në dy lotet tenderuese të hapura në vitin 2024 nga SPAK, konkurroi përballë kompanive të tjera private “Alcomm Solutions” dhe “AESS” & “S2 Secure Albania”, të cilat u skualifikuan nga Komisioni i Ofertave pranë SPAK, me argumentin se ofertat e ulëta të paraqitura prej tyre, nuk përmbushnin kapacitetin ekonomik të kërkuar nga institucioni.
Tashmë “AlbaScan”, po jep asistencën e saj dhe në SPAK, ku është duke implementuar teknologjinë elektronike për sigurimin e godinës.