Aktualitet

"Gazetarët me leje, s'lejohen telefonat e kamerat"/ AGSH kundër rregullores së re të GJKKO: Kufizohet e drejta e informimit publik

Në përfundim, AGSH i bën thirrje GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të hapë një proces konsultimi me gazetarët, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar.

zh.ll
"Gazetarët me leje, s'lejohen telefonat e kamerat"/ AGSH
foto ilsutruese

TIRANË- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Përmes një reagimi publik, AGSH ka ngritur shqetësim për lirinë e medias, duke theksuar se një nga pikat më problematike që parashikoln rregullorja e re është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore.

Sipas AGSH, ndalimi i celularëve “nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik”, veçanërisht në kushtet kur në GJKKO zhvillohen procese gjyqësore me interes të lartë publik.

Sa i përket pranisë së kamerave në sallat e gjyqit, AGSH thekson se nuk nevojiten kufizime të reja, por zbatim korrekt i ligjit dhe i Udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në përfundim, AGSH i bën thirrje GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të hapë një proces konsultimi me gazetarët, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar.

Reagimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim për Rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe sjell kufizime të papranueshme për ushtrimin e profesionit të gazetarit.

Veçanërisht alarmues është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë seancave gjyqësore. Duam të sjellim në vëmendje të GJKKO se telefoni celular nuk është thjesht një pajisje elektronike, por mjeti bazë i punës së gazetarit për raportim në kohë reale, komunikim me redaksinë dhe informim të publikut.

Ndalimi i tij nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik sidomos nën dritën e gjyqeve historike që po mbahen në vendin tonë e posaçërisht më Gjykatën e Posaçme.

Sa i përket regjistrimit dhe pranisë së kamerave në seanca gjyqësore, AGSH rikujton se debati nuk duhet të zhvillohet mbi baza ndalimesh të përgjithshme, por mbi zbatimin korrekt të ligjit dhe të Udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në raportin krahasues të publikuar nga AGSH theksohet qartë se Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të rregullave ekzistuese, vendimmarrje të arsyetuar për çdo kërkesë dhe përdorimin e regjistrimit të pjesshëm në vend të ndalimeve të plota.

Po ashtu, rekomandimi qendror i AGSH-së është që të garantohet regjistrimi i pjesës hyrëse të seancave sipas Udhëzuesit të KLGJ-së, çdo kërkesë të shqyrtohet individualisht dhe çdo kufizim të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj.

Në këto kushte, AGSH i bën thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë, komunitetin e gazetarëve, organizatat e medias dhe aktorët e tjerë të interesuar. Një akt me ndikim kaq të madh mbi lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar nuk mund të miratohet pa dialog dhe pa respektuar standardet e transparencës.

AGSH mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj dhe me rekomandimet e raportit të publikuar së fundmi, me qëllim që të ndërtohet një model që garanton njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme.

Çfarë parashikon rreugllorja e re e GJKKO?

Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila hyn në fuqi më 1 shtator, përcakton rregulla të reja për praninë dhe raportimin e medias gjatë seancave gjyqësore. Sipas saj, gazetarët duhet të paraqesin kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara seancës për të marrë leje për të qenë të pranishëm. Në rast se në sallë nuk ka hapësirë për të gjithë gazetarët, prania e tyre mund të kufizohet. 

Gjithashtu, rregullorja e re parashikon një tjetër kufizim për gazëtarët. Këtyre të fundit nuk do t'u lejohet përdorimi i telefonave celularë, laptopë apo tabletë, gjatë seancave. Sa i përket kamerave, fotografimit dhe regjistrimit, ato i nënshtrohen autorizimit të trupit gjykues. /ZËRI

Poll

MOS HUMB