TIRANË- Ministria e Brendshme ka shpallur “non grata” dy shtetas të tjerë për veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar, konkretisht dy persona nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela dhe Bekir Halimi.
Sipas vendimit të firmosur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dy shtetasit nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare. Vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të strukturave të Antiterrorit lidhur me veprimtarinë e tyre.
Pas shpalljes “non grata”, të dy kanë reaguar publikisht.
Politikani dhe analisti Valon Bela ka reaguar pasi është shpallur person “i padëshiruar” në Shqipëri, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Bela e cilëson vendimin si politik dhe pretendon se ai është marrë nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ai kritikon mungesën e transparencës për vendimin dhe thotë se shqiptarët nuk duhet të ndahen sipas kufijve shtetërorë kur bëhet fjalë për çështjet kombëtare.
Postimi i plotë:
Fillimisht faleminderit miqve e dashamirëve që më informuat dhe që më jepni mbështetjen tuaj. Ja reagimi im me rastin e shpalljes sime 'i padëshiruar' për Qeverinë e Edi Ramoviçit, vëllaut siamez të Vuçiç. Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë "non grata" historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall "non grata", por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata "brenda" dhe "jashtë" kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.
Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë.
Reagim ka pasur edhe nga imami Bekir Halimi, i cili e ka cilësuar vendimin një padrejtësi. Në reagimin e tij të parë publik pas shpalljes “non grata”, Halimi falënderon personat që i kanë shprehur mbështetjen dhe thotë se do të vijojë të kërkojë drejtësi.
"Sot gjithë ditën pasi doli lajmi i shpalljes non-grata të emrit tim, kisha telefonata të shumta nga shumë miq, dashamirë, intelektualë, gazetarë e biznesmenë të brengosur nga ky vendim. Unë falënderoj të gjithë ata që më kanë thirrë e më kan shkruar e juu them Allahu ju shpërbleftë, ju mëshiroftë e ju gëzoftë. Është mërzi kur të bëhet padrejtësi sidomos atyre personave që ia kanë kushtuar jetën ngritjes së vetëdijes fetare tek populli ynë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtar. Kështu e ka jeta. Ne do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e të luftojmë padrejtësitë e do të mundohemi të kontribuojmë vazhdimisht për të ndërtuar shtete të drejta e funksionale ku ccdo qytetar do ndihet i nderuar dhe i privilegjuar me të drejta të garantuar dhe mirëqenie ekonomike, me një jetë të rehatshme ku dëshmojmë atdhedashuri e patriotizëm, duke i edukuar fëmijët me fe dhe nder që të vazhdojnë të kontribuojnë për ti bërë shtetet tona më të mira e më të përparuara. Të mos lejojmë ta braktisin këtë vend të rinjtë tanë. Ishalla sa më shpejt korrigjohet kjo padrejtësi e gabim,” tha Halimi.
