Aktualitet

Gazetarja dhe kameramani denoncuan rojet e ASHK-së për dhunë dhe pengim të detyrës, reagon Kadastra e Shtetit

ASHK është distancuar nga çdo akt dhune, ndërsa thekson se personi që goditi gazetaren nuk është punonjës i saj. 

zh.ll
Gazetarja dhe kameramani denoncuan rojet e ASHK-së për dhunë dhe
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK)

TIRANË- Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dega Kamëz-Vorë, ka reaguar publikisht pas lajmit të publikuar ditën e sotme se një person dhe 2 rojet private të institucionit kanë dhunuar dhe kanë penguar në kryerjen e detyrës të gazetares Domenika Bajraktari dhe të kameramanit që e shoqëronte. ASHK është distancuar nga çdo akt dhune, ndërsa thekson se personi që goditi gazetaren nuk është punonjës i saj. 

Në reagim bëhet me dije se ndaj dy rojeve të institucionit ka nisur procedim penal, pasi dyshohet se kanë dëmtuar kamerën e filmimit dhe kanë penguar median në ushtrimin e detyrës. Sipas ASHK, rasti është në verifikim, dhe nëse konstatohet ndonjë shkelje ligjore, do të merren masa të menjëhershme. ASHK shpreh besimin tek institucionet ligjzbatuese për hetime dhe vendosjen e drejtësisë sipas ligjit.

Reagimi i plotë i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës:

Në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë, sqarojmë se:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës  dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.

Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.

Poll

MOS HUMB