
TIRANË- Akrepat e orës shënuan 00:00 dhe jetët e reja lindën për këtë vit të ri. Shqipëria priti 2 bebet e para, 2 vajza, njëra në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" dhe tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook.
"Mirë se erdhët
Dy vajza janë bebet e para të lindura në 2026, njëra në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” dhe tjetra në “Koço Gliozheni” - shkruan Rama.
Ndërsa Kosova, në orët e para të vitit 2026, priti 3 djem trenjakë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas stafit mjekësor, lindja u realizua me sukses, ndërsa si nëna ashtu edhe foshnjat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ishte kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë ata që vizituan nënën dhe trenjakët e porsalindur.
"Fjolla u bë nënë për herë të parë, ndërsa trenjakët e saj janë fëmijët e parë që lindën në QKUK në vitin 2026. Nëna Fjolla dhe tre djemtë janë shëndoshë e mirë. Urime prindërve dhe familjes.
Të porsalindurve u dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë. Falënderim për stafin shëndetësor për shërbimin, kujdesin dhe përkushtimin në çdo minutë e orë të ditës."- shkruan Kurti në Facebook.
Në Shqipëri këtë vit nuk do të ketë bonus për bebet, por sipas skemës së re, do të ketë një pagesë mujore për fëmijën nga mosha 0 deri në 5 vjeç. Për fëmijën e parë, pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit (300 mijë lekë në 5 vite), nga 40 mijë lekë në total që është çeku aktual.
Për fëmijën e dytë, skema e re parashikon pagesë 7 mijë lekë në muaj, që përllogaritet në 84 mijë lekë në vit, nga 80 mijë lekë që është pagesa aktualisht. Ndërsa për fëmijën e tretë, pagesa mujore do të jetë 10 mijë lekë çdo muaj, ose 120 mijë lekë në vit (600 mijë lekë për 5 vitet e para të bebes).
Skema e re e bonusit të bebes:
Fëmija 1: 40 mijë lekë – 5,000 lekë/muaj
Fëmija 2: 80 mijë lekë – 7,000 lekë/muaj
Fëmija 3: 120 mijë lekë – 10,000 lekë/muaj
Ndryshimi i skemës bëhet për të stimuluar rritjen e lindjeve. Sipas shifrave, numri i bebeve që lindin në vendin tonë po pëson rënie drastike nga viti në vit, duke reflektuar përkeqësimin e treguesve demografikë dhe kushteve sociale dhe ekonomike në vend./ZËRI