
TIRANË-Tensione dhe përplasje janë shënuar tek Pallati me Shigjeta në Tiranë në protestën e PD-së. Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka humbur ndjenjat gjatë protestës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Gjekmarkaj është dhunuar nga efektivët e policisë. Berisha u shpreh se sulmi ndaj nënkryetarit të PD është urdhëruar nga Edi Rama.
Gjekmarkaj deklaroi se ai ishte sulmuar nga policia. Ai theksoi se policët e kanë përplasur dhe goditur me shkelma edhe pse e dinin që ishte deputet.
"I thashë jam Nënkryetari i Parlamentit por këtu nuk ka më institucione, ka vetën violencë dhe rezistencë qytetare. E gjitha është përpjekje për të krijuar provokim, sepse qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Bashkia e Tiranës i bën aktivitetet në rrugë edhe PS, është e drejta e Partisë Demokratike, e qytetarëve të protestojnë në rrugë. Po rrëmbejnë qytetarët. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në protestë. Të gjithë do të përgjigjen para drejtësisë për mënyrën si po sillen. Një polic erdhi më shtyu me duar e më gjuajti me shkelma sikur të mos ishim njerëz po prej betoni,"-i shpreh nënkryetari i PD.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Gjekmarkaj është dhunuar nga efektivët e policisë. Berisha u shpreh se sulmi ndaj nënkryetarit të PD është urdhëruar nga Edi Rama.
"Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervini me 3 mbiemra do të marrin përgjegjësi personale për dhunën e ushtruar ndaj nënkryetarit të PD-së dhe Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Edi Rama ndjek i tmerruar protestën e opozitës, këtë mosbindje civile dhe më pas targeton deputetët dhe drejtuesit e PD-së duke urdhëruar dhunën ndaj tyre,"-u shpreh Berisha.
Opozita ka bllokuar 5 akset kryesore në Tiranë, kryqëzimin tek rruga e Elbasanit, sheshin para bashkisë së Tiranës, sheshin Uillson, zonën tek Pallati me Shigjeta dhe Zogun e Zi./ZËRI