TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun dhe ish-shefin e krimeve në Vlorë, Rezart Kuçin. Sipas SPAK, pas dy atentateve mafioze të ndodhura në Vlorë pesë vite më parë, më 6 shkurt 2021, ku mbetën të vrarë Gentian Qarri dhe Bledar Birçaj, dyshohet se qëndron Inez Hajrulla së bashku me grupin e tij kriminal.
Prokuroria e Posaçme ka arritur të zbardhë dinamikën e këtyre ngjarjeve të rënda, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen plotë të rolit të secilit prej të dyshuarve në atentatet që tronditën Vlorën.
URDHËR-ARRESTET:
Inez Hajrulla (kërkim)
Ervis Matodashaj (kërkim)
Flodian Plaku (ekzekutuar në burg)
Rezart Kuçi (ekzekutuar masa)
Hamëz Demushi (ekzekutuar masa në Zvicër)
Mendu Duka (në kërkim)
Arben Memishaj (në kërkim)
Argest Xhezani (në kërkim)
Qarri u qëllua me kallashnikov nga një automjet në lëvizje. Ndaj tij është qëlluar me 20 plumba 6 prej të cilëve në trup. Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u transportua drejt spitalit, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Në vendngjarje u gjetën të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima kishte marrë plagë në kraharor dhe në këmbë.
Pas ngjarjes, autoritetet zbuluan një automjet tip "Toyota" me targa greke të djegur në zonën e Pyllit të Sodës, që dyshohej se ishte përdorur nga autorët. Brenda automjetit u gjet edhe një armë automatike kallashnikov. Gentian Qarri kishte qenë më herët i dënuar në Itali me 15 vite burg për trafik droge. Ai ishte kthyer në Shqipëri rreth tri vite para se të vritej dhe, sipas raportimeve, punonte në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.
Mes personave të dyshuar për përfshirje në këtë krim janë edhe disa emra të njohur të botës së krimit, ku SPAK ka lëshuar urdhë-arrest për Flodian Plakun, i njohur me nofkën “Pole Qorri”, Ervis Matodoshaj dhe Inez Hajrullën.
Plaku konsiderohet si një nga figurat kryesore të trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë. Ai u arrestua në Orikum më 3 gusht të vitit të kaluar, i dyshuar edhe si një nga tre atentatorët e Gentjan Bejtjes, i cili u ekzekutua në mars të vitit 2024 në Larushk të Fushë-Krujës. Gjatë operacionit për arrestimin e tij SPAK ka sekuestruar disa celularë përmes së cilave ka bërë të mundur zbërthimin e disa bisedave që kanë çuar në zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale.
Ndërkohë Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”./ZËRI

