
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kallëzimin e bërë nga eurodeputeti i "Neodemokracia", Fredi Beleri për çiftin Xhaçka-Gaçi. Në dokumentin e siguruar nga ZËRI, shkruhet se GJKKO urdhëron Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të regjistrojë kallëzimin penal ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi. Për të tre kërkohen hetime për 3 vepra penale: shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve dhe pastrimi i produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim.
DOKUMENTAT:
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj që më datë 28 shkurt, por është zbuluar për mediat vetëm sot. Ç'ka do të thotë që ka më shumë se një muaj, që SPAK ka marrë urdhërin dhe mund të ketë nisur hetimet ndaj kandidates për deputete dhe bashkëshortit të saj. E gjitha sepse ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës (i cili nuk u betua kurrë në detyrë), Fredi Beleri në kallëzimin e tij ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që kishte vendosur të mos fillojë procedimin penal ndaj Olta Xhaçkës dhe Artan Gaçit. Beleri kërkoi që të rishikohet vendimi i datës 27 dhjetor 2024 dhe të hapen hetime edhe për ta.
PJESË NGA VENDIMI I GJKKO:
Pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është paraqitur kërkesa penale me nr.58 akti me objekt: Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr.22920/1 prot. datë 27.12.2024, të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuar dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse për veprat penale: shpërdorim detyre, falsifikimi i dokumentave, dhe pastrimi i produkteve të veprës penale kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal. Gjykata çmon se, kallëzimi i shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, per shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i dokumentave", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 te Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës" i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistroje procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e depozituar për ish-kryebashkiakun e Bashkisë Himarë, Jorgo Gora. Sipas kallëzimit, shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitoret strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interest. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një prone te falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj 43. Ndodhur ne keto kushte: Prokuroria e Posaçme duhet të administrojë të gjithë praktikën e regjistrimit të shoqërive në pronësi të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, administrimin e praktikës së marrjes së statusit të investitorit strategjik të të kallëzuarit Artan Gaçi.
PËR KËTO ARSYE:
Gjykata, bazuar në nenet, 28, 29, 83, 89, 290 dhe 291 të Kodit se Proceshuries Penale. VENDOS: 1. Pranimin e ankimit të bërë nga ankuesi Dhionisios Alfred Beleri 2. Detyrimin e Prokurorisë së Posaçme Kunder. Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për regjistrimin e procedimit penal dhe për vazhdimin e hetimeve për veprën penale "Shpërdorim i detyrës", "Falsifikimi i dokumentave", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 248, 186 dhe 287 10 Kodit Penal, mbi parashtrimin e kallëzimit penal nr. 181 datë 04.09.20223.
Aktualisht, shoqëria “AG TCC Hotel Management”, në pronësi të kunatës së ish-ministres Olta Xhaçka, shtetases amerikane Tauni Lin Grizç-Suton, ka pezulluar aktivitetin tregtar. Ndërsa toka ku do të ndërtohej resorti është sekuestruar me urdhër të SPAK. Për çështjen e tokës, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron. Ish-kryebashkiaku i Himarës është gjetur fajtor për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "tjetërsim të provave".
Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
Herën e parë, SPAK nisi hetimet pas një kallëzimi të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri. I njëjti denoncim çoi në pranga Jorgo Goron dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë Himarë, ndërsa SPAK ka vënë në sekuestro edhe truallin ku do të ndërtohej hoteli nga Gaçi. Por pavarësisht akuzave të ngritura ndaj tij, Gaçi i shpëtoi 'valës' së arrestimit nga SPAK, pasi në pranga përfundoi Goro dhe zyrtarët e tjerë. Megjithatë duket se hetimi ndaj tij do të nisë edhe njëherë.
Pse akuzohet Gaçi dhe Xhaçka?
Bashkëshorti i ish-ministres gëzon edhe statusin e investitorit strategjik. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte./ZËRI