Aktualitet

Gjykata Administrative rrëzon padinë e Llagamit, Asim Vokshi mbetet anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtari Asim Vokshi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për vendin e lënë vakant nga Holta Zaçaj, pasi nga votimi i fshehtë në Gjykatën e Lartë asnjë prej tre kandidatëve nuk siguroi 3/5-at e votave sipas përcaktimeve ligjore

E.K
Gjykata Administrative rrëzon padinë e Llagamit, Asim Vokshi mbetet
Asim Vokshi dhe naureda llagami

TIRANË- Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar padinë e bërë nga Naureda Llagami kundër vendimit të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, për zgjedhjen e Asim Vokshit si anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Në Administrative Llagami kërkoi pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme si dhe të procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Sipas Llagamit, që mori 8 vota në Mbledhje, vota e 9-të u shpall qëllimisht e pavlefshme, për të mos plotësuar kuorumin e nevojshëm. Ndonëse kandidati Asim Vokshi kishte më pak vota, u zgjodh fitues si i rendituri i pari nga pikëzimi i KED, për shkak të mos marrjes së shumicës së nevojshme nga Llagami.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) publikoi më 18 shtator pikëzimin e shtatë kandidatëve për vendin vakant të Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, duke renditur në krye të listës gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, me 89.5 pikë. Në vendin e dytë, me një diferencë të papërfillshme, KED renditi ish-kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, me 89.3 pikë, e ndjekur nga ish-komisioneri publik, Florian Ballhysa, me 77.83 pikë. Këta tre kandidatë vijuan garën që u përmbyll të martën pas votimit të fshehtë të kryer nga anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e Holta Zaçajt. Shpallja e procedurës shkaktoi polemika mes Zaçajt dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025./ZËRI 

Poll

MOS HUMB