Aktualitet

Franc Çopja shpallet fajtor! Gjykata e Brukselit: Të dhënat në 'Sky ECC' për vrasjen e Ardit Spahiut, të besueshme

Mesazhet e dërguara përmes këtij aplikacioni, të cilat u deshifruan nga policia në vitin 2021, u përdorën si provë kryesore në gjyq.

F.I
Franc Çopja shpallet fajtor! Gjykata e Brukselit: Të dhënat
Franc Çopja dhe Ardit Spahiu

BRUKSEL-Gjykata në Bruksel ka vendosur se të dhënat e nxjerra nga aplikacioni i koduar Sky ECC janë të besueshme dhe mund të përdoren si prova në procesin për vrasjen e Ardit Spahiut, e ndodhur më 27 nëntor 2020.

Sipas vendimit, “asgjë nuk sugjeron që të dhënat e Sky ECC janë të pabesueshme”. Mesazhet e dërguara përmes këtij aplikacioni, të cilat u deshifruan nga policia në vitin 2021, u përdorën si provë kryesore në gjyq.

Në përfundim, gjashtë nga nëntë të pandehurit, mes tyre Franc Çopja u shpallën fajtorë, ndërsa tre të tjerë u shpallën të pafajshëm. Konkretisht Franc Gergely- Çopja (33 vjeç), Mikael Qosja (38 vjeç), Elton Roci (48 vjeç), Eljo Bitri (38 vjeç), Elvis Murataj (50 vjeç) dhe Flobenc Mecja (43 vjeç) u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, të krijuar me qëllim kryerjen e vrasjes së Ardit Spahiut. 

Juria konstatoi se vrasja ishte përgatitur “për disa muaj” dhe “drejtohej nga jashtë vendit”. Sipas vendimit, autorët vepronin brenda një “organigrame të mirëfilltë të një strukture kriminale”, ndërsa komunikimi zhvillohej përmes mesazheve të koduara Sky ECC. Përdoruesit “mendonin se ishin plotësisht të mbrojtur”, theksoi gjykata.

Nga mesazhet rezultoi se Franc Çopja dhe Mikael Qosja ishin porositësit e vrasjes. “Ata janë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm porositësit e vrasjes”, vendosën dymbëdhjetë anëtarët e jurisë. Të dy dhanë udhëzime nga Dubai, ndërsa të tjerë në Bruksel mblidhnin informacione ose merreshin me ekzekutimin. Plani i vrasjes ishte “formuluar qartë” që në dhjetor 2019. Sipas jurisë, Gergely tregoi “vendosmëri të vazhdueshme” dhe përdori “mjete të konsiderueshme financiare” për të organizuar operacionin. Çopja “qëndronte i informuar në kohë reale” për situatën në Bruksel.

Gjatë gjyqit, mbrojtja kundërshtoi vlefshmërinë e këtyre të dhënave. Avokatët argumentuan se mund të kishte pasur manipulim dhe ngritën dyshime për mospërputhje në dokumentet e paraqitura nga hetuesit. Ata kërkuan qasje në skedarin origjinal të të dhënave të Sky ECC, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata.

Juria arsyetoi se, edhe pse gjurmueshmëria e plotë e të dhënave nuk është absolute, nuk ka prova konkrete që të mbështesin pretendimin për manipulim./ZËRI

Poll

MOS HUMB