BELGJIKË-Për rreth katër orë me radhë bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë sot një dëshmi të gjatë për drejtësinë belge në seancën gjyqësore që po zhvillohet për vrasjen e Ardit Spahiu, në vitin 2020 në lagjen Molenbek. Dëshmia me video-call është zhvilluar në praninë e ish-kreut të SPAK Altin Dumani dhe gjyqtarit Erjon Bani, sipas parashikimeve ligjore.
Ardit (Arjan) Spahiu, i cili u ekzekutua në Bruksel, ishte kunati i Erion Alibejt. Spahiu, 38 vjeç, kishte precedentë penalë dhe vrasja e tij u lidh me zinxhirin e krimeve në Elbasan ku përfshihej Alibej. Spahiu konsiderohej si financier i grupit, ndërsa ishte duke gërmuar për llogari të Erjon Alibej mbi autorët e masakrës në Bradashesh ku u ekzekutua Endrit Alibej dhe dy persona të tjerë në dhjetor të 2018-ës.
Në seancën ku u dëgjua dëshmia e Alibej, të pranishëm ishin edhe Franc Çopja dhe tetë të jerë të cilët akuzohen për vrasjen e Spahiut. Sipas autoriteteve belge, motivi i krimit është larja e hesapeve, pasi grupi Çopja kishte përplasje me kreun e klanit kundërshtar të drejtuar nga Erjon Alibej.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve./ZËRI