TIRANË- Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës detyrim paraqitje. Pas qëndrimit për rreth 30 minuta në ambientet e Prokurorisë, Karçanaj u pa duke dalë pa dhënë asnjë reagim për mediat.
Më 7 maj, Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë, për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nën hetim nga SPAK pas dyshimeve për shkelje me tenderët. Karçanaj ishte vendosur më herët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të caktuar nga GJKKO, por me vendimin e fundit, Gjykata e Lartë i ka caktuar ish-drejtoreshës së AKSHI-t masën detyrim paraqitje.
Karçanaj nuk mund të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, ndërsa duhet të paraqitet pranë Policisë gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit, në orën 10:00.
Ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”./ZËRI