TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim lidhur me çështjen e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të tre gjykatave të tjera lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”. Konkretisht kreu i PL, kërkoi nga Kushtetuesja shfuqizimin e vendimeve të Shkallës së Parë të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë duke kërkuar kështu daljen nga paraburgimi. Meta kishte kundërshtuar gjithashtu mënyrën e ekzekutimit të kësaj mase.
Kushtetuesja nuk ka pranuar të shprehet për mënyrën se si u arrestua kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke qenë se ish-presidenti ka bërë kallëzim dhe po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Gjykata vendosi të mos e marrë në shqyrtim këtë pjesë të kërkesës, pasi gjykatat e tjera nuk janë shprehur ende.
Sa i përket masës së sigurisë 'arrest me burg', Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin, se ajo është vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk është joproporcionale.
Lidhur me vendimin një reagim ka ardhur edhe nga kreu i PL, Ilir Meta, i cili shprehet se nuk u surprizua nga vendimi. Meta shkruan se Kushtetuesja e zvarriti qëllimisht çështjen për 6 muaj që të vononte dërgimin e çështjes në Strasburg.
Ilir Meta: Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana. Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre. Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (Gjykata) në datën 08.04.2026 mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ilir Metaj, me objekt: Shfuqizimi i vendimeve nr. 125, date 20.10.2024 dne mr. 130 datë 23.10.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nr. 59 (87-2024-333), date 19 11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-364 (57) date 27.02. 2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë si te papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.".
Gjykata pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vëren për sa vijon:
Së pari, kërkuesi legjitimohet ratione personae dhe ratione temporis për vënien në lëvizje të kontrollit kushtetues për vendimet gjyqësore që kanë disponsar ndaj tij masën e sigurimit personal "Arrest në burg".
Së dyti, sa i takon kriterit për shterimin e mjeteve juridike, kërkuesi ka pretenduar cenimin e së drejtës për të mos iu nënshtruar tortures, mint apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues, të garantuar nga neni 25 i Kushteturnés de neni 3 i KEDNJ-së, lidhur me ngjarjen e datës 21.10.2024 për mënyrën e ekzekutimit nga Policia e Shtetit të masës së sigurimit "Arrest në burg", në zbatim të vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata konstatoi, nga njëra anë, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit. Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkuesi ka paraqitur kallëzim lidhur me ngjarjen dhe pranë asaj prokurorie në vitin 2025, duke u regjistruar procedimi penal për veprën penale "Kryerja e veprimeve arbitrare", të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, për të cilin hetimet janë në vijim. Në kushtet kur nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykatat e zakonshme mbi këtë çështje, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se nuk mund ta marrë në shqyrtim duke qenë se kontrolli i saj ka natyrë subsidiare, në kuptim të nenit 131. shkronja "f", të Kushtetutës.
Së treti, në aspektin e kriterit ratione materiae, Gjykata u ndal në vlerësimin e argumenteve të kërkuesit në drejtim të cenimit të lirisë personale në aspektin substancial të lidhur me (1) standardin e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova dhe (ii) parimit të proporcionalitetit, të garantuara nga nenet 17. 27 dhe 28 të Kushtetutës. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se: në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindnin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm, në kuptim të nenit 27, paragrafi 2, shkronja "c", të Kushtetutës dhe nenit 5, pika 1, shkronja "e", të KEDNJ-së, masa e sigurimit personal ndaj kërkuesit është e vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të KPP-së për caktimin e saj.
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi, me shumicë votash: Rrëzimin e kërkesës.