TIRANË- GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK pak ditë më parë, ku u godit organizata kriminale e Çopjave. Bëhet me dije se 7 nga të arrestuarit mbeten në burg, njëri lihet në arrest shtëpiak dhe dy të tjerët në detyrim paraqitje. Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Bani më datë 10 gusht 2025.
Arrest në burg: Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela
Arrest në shtëpi: Riza Çela
Detyrim paraqitje: Kujtim Gjyla, Ditjon Pepa
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 9 gusht 2025, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe nevojave të sigurimit, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, për personat nën hetim: Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Riza Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin nr. 84, datë 10 gusht 2025, vendosi të konfirmojë masat e sigurisë të dhëna më parë me vendimin nr. 82, datë 6 gusht 2025.
Kështu, Gjykata vendosi të vazhdojë masën e sigurimit “arrest në burg” për Ervis Ibrahim Çelën, Albin Çelën alias Defrim Çelën, Petrit Lakatosin alias Petrit Sulejmanin, Renato Musakun, Gert Çermën, Marenglen Kamamin dhe Elidon Çelën.
Për personin nën hetim Riza Çela, masa e sigurisë “arrest në burg” u zëvendësua me “arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale. Riza Çela detyrohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase do të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore përkatës.
Gjykata gjithashtu vendosi të vazhdojë masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale, për Kujtim Gjylën dhe Ditjon Pepën.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, është ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve, afat që nis nga e nesërmja e marrjes dijeni për vendimin.
SPAK ka goditur grupin kriminal "Çopja" që trafikonte lëndë narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës. Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka nxjerrë urdhër-arreste për 16 persona, nga të cilët 14 janë me masë arrest me burg dhe 2 me detyrim paraqitje. Deri tani, 7 prej tyre janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa një drejtues i rëndësishëm ndodhet i arrestuar në një vend të Bashkimit Evropian./ZËRI