TIRANË- Është gjetur motori që dyshohet se është përdorur nga autorët e grabitjes së argjendarisë në Paskuqan, pesë ditë pas ngjarjes, ndërsa Policia e Tiranës dhe Komisariati nr. 5 vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grabitja u regjistrua pasditen e 5 gushtit, ku autorët e maskuar kanë hyrë në argjendari dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë bizhuteri me vlerë deri në 1.5 milionë lekë.
Burime pranë Komisariatit nr.5 bëjnë me dije se autorët e maskuar kanë ndjekur të njëjtin itinerar si në momentin kur kanë shkuar drejt argjendarisë, ashtu edhe pas grabitjes. Dyshohet se ata kanë lëvizur përmes rrugicave periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore. Pikërisht itinerari i ndjekur ka ngritur dyshimet e grupit hetimor se autorët e njohin mirë zonën.
Një nga pistat që po hetohet është nëse autorët kishin dijeni të mëparshme për vendndodhjen e bizhuterive me vlerë. Dyshohet se njëri prej tyre mund të ketë shkuar në argjendari si klient një ditë para grabitjes, për të vëzhguar ambientin dhe sendet me vlerë. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia që dy autorët të kenë pasur bashkëpunëtorë të tjerë.
Ndërkohë, Policia e Tiranës vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar për grabitjen./ZËRI

