BRITANI E MADHE- Nga një pronë e rrënuar komunale në lindje të Londrës "familja Hellbanianz" bëri emër. Karteli famëkeq shqiptar, i cili mburret me stilin e tij të jetesës luksoze të mbushur me makina luksoze, Rolex të zbukuruar me diamante dhe vajza gjysmë të zhveshura në videoklipe muzikore, është famëkeq në të gjithë rrugët e Londrës. Nga kullat e larta të "Gascoigne Estate" në Barking, Hellbanianz-ët terrorizonin banorët ndërsa shisnin kokainë në të gjithë kryeqytetin dhe rekrutonin të rinj shqiptarë për t'u bashkuar me bandën e tyre.
View this post on Instagram
Dhe ndërsa bandat e tjera mund të përpiqen të mbajnë një profil të ulët, grupi publikon qëllimisht imazhe të vetes duke mbajtur armë dhe duke pozuar me tufa të mëdha parash në mediat sociale. Disa vjet më parë ata shkuan aq larg sa drejtuan automjete ushtarake të pajisura me mitralozë nëpër Gascoigne.
Por një skemë rigjenerimi, vendim i marrë nga këshilli i Barking dhe Dagenham ka bërë që pothuajse të gjitha apartamentet - të cilat grupi "kishte nën kontroll" - të shemben përtokë, dhe bashkë me të ka ndodhur edhe shembja e bazës nga e cila ata kontrollonin territorin.
"MailOnline" mund të zbulojë ekskluzivisht se drejtuesit kryesorë të bandës tani kanë gjetur një bazë të re, dhe kjo nuk është në Mbretërinë e Bashkuar.
“Udhëheqësi” i grupit, Ervin Selita, i njohur me nofkën “Vinz”, është zhvendosur në Dubai, duke marrë me vete disa nga togerët e tij më të besuar. Duke fituar shuma të mëdha duke shitur kokainë në Mbretërinë e Bashkuar, udhëheqësit e bandës mund të përballojnë një jetë luksoze në Dubai. Anëtarët e grupit postojnë foto dhe video duke ngarë Rolls-Royce dhe duke darkuar me pamje nga Burj Khalifa.
Pamje nga 'stili i tyre i jetesës në Dubai' janë postuar në TikTok përmes llogarive të panumërta të lidhura me grupin dhe anëtarët e tij.
Postimet joshëse shoqërohen me mbishkrime dhe hashtagje 'stil jetese si arab' dhe '#dubaisettings'.
Nuk dihet saktësisht se kur grupi u zhvendos në Lindjen e Mesme, por mendohet të jetë drejt gjysmës së dytë të vitit 2023, pasi Selita u lirua nga burgu në Shqipëri. “Koka” e Hellbanianz, i cili është në të 30-at, u arrestua për tentativën e vrasjes së një pronari hoteli në Tiranë në shkurt të vitit 2022. Incidenti nisi pasi recepsionisti refuzoi të lejonte Selitën dhe të dashurën e tij të hynin në hotel pa kartë identiteti.
Kur në konflikt u përfshi edhe pronari i hotelit Zeni Xhindi, Selita nxorri armën dhe u përpoq ta vriste. Udhëheqësi i frikshëm i bandës u lirua nga burgu në korrik 2023 pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi që ai duhet të “mbajë kontakt” me shërbimin e provës. Por Selita u nis për në Dubai. Që kur u zhvendos në Lindjen e Mesme, Selita dhe të tjerë kanë dhënë disa koncerte në Shqipëri dhe në të gjithë Evropën. Selita shpesh performon me anëtarin kryesor të Hellbanianz, Stealth - emri i vërtetë i të cilit është Fation Dibra - por nuk është e qartë se ku jeton ky i fundit. Ndërkohë, disa nga anëtarët e tjerë të grupit po vuajnë dënime të gjata në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa të tjerë vazhdojnë të bredhin rrugëve të Barkingut.
Anëtarë të njohur me emrat e rrugës 'Skilla' dhe 'Gucci' janë midis atyre që u vunë pas hekurave.
Burimi ynë i tha MailOnline: Kreu i Hellbanianz dhe ushtarët e tij të besuar janë zhvendosur në Dubai. Të paktën pesë prej tyre dihet se janë atje.
Grupi - motoja e të cilit është "Ne jemi Zoti i rrugëve" - u formua si një grup repi në vitin 2000 në Londrën Lindore, por u formua si një bandë kriminale në vitin 2002. Të rritur në prona përgjatë Barking dhe Dagenham, grupi nuk është krejtësisht i ndryshëm nga modeli i bandave të tjera të Londrës. Anëtarët e Hellbanianz në atë kohë ishin fëmijë, por shumë shpejt përvetësuan një jetë krimi dhe u përfshinë në trafikimin e drogave të klasit A për bosët e mëdhenj shqiptarë.
Në vitin 2011, banda famëkeqe tronditi kryeqytetin kur një luftë 90-minutëshe me thika kundër bandën rivale shqiptare OTR- On Top of the Rest. Thuhej se ishin të përfshirë edhe 13-vjeçarë.
“Grupi përdor muzikën si PR kriminal për të rekrutuar njerëz. Ata janë shumë të popullarizuar në mesin e të rinjve shqiptarë, veçanërisht në veri të Shqipërisë. I shohin duke ngarë makina luksoze dhe mendojnë se edhe ata mund t’i kenë ato,”- tha burimi për MailOnline.
Në vitin 2020, anëtarët Azen 'Ziro' Dajci, Fabion Kuci - i cili njihet me emrin e rrugës 'Gucci', dhe Ardi Sheta u dënuan me 15 vjet burg në total për përfshirjen e tyre në një grabitje të armatosur. Një tjetër anëtar i bandës, Tristen Asllani, u burgos me 25 vjet për vepra penale që lidhen me armë zjarri dhe drogë në qershor 2016.
Një anëtar i njohur, 'Skilla' - emri i vërtetë Sabajet Shuti - është në burg për vrasjen e 27-vjeçares Lumturi Zeqja në Leytonstone. Ai ishte arratisur nga Mbretëria e Bashkuar, por u dënua me burgim të përjetshëm pasi u ekstradua nga Suedia.
TikTok është përmbytur me postime nga anëtarë dhe mbështetës që kërkojnë 'Liri për Skrillën'.
Një person me njohuri për grupet kriminale i tha MailOnline: Transferimi në Dubai u bë sepse ata u pasuruan dhe ia dolën mbanë financiarisht nga shitja e kokainës. Ata tani mund të përballojnë blerjen e një shtëpie në Dubai me paratë që kanë nga shitja e drogës. Sa më shumë para të kenë atje, aq më mirë. Nëse keni një shtëpi me vlerë më shumë se 400,000 paund në Dubai, mund të merrni një 'vizë të artë'.
Pra, nëse blini një vilë, le të themi mbi 400-500 mijë në paund ose euro, mund të merrni një vizë 5-vjeçare. Ekziston gjithashtu faktori i se ata po përballeshin me bandat rivale dhe me policinë në Mbretërinë e Bashkuar, ndaj edhe vendosën të zhduken. Ka të ngjarë që aktiviteti i tyre kriminal të vazhdojë, por tani vartësit e bëjnë punën për ta. Kështu kur "shefi" zhvendoset në Dubai, "menaxheri" i zë vendin. Është një progresion natyror që e bëjnë shumë banda. Tregtarët britanikë të drogës filluan të zhvendoseshin në Dubai rreth 12 vjet më parë. Shumë banda irlandeze dhe ruse kanë shkuar atje gjithashtu, kështu që edhe shqiptarët po ndjekin shembullin.
"Thjesht ka kuptim. Ata zhduken nga radari dhe kjo vetëm sa e bën më të vështirë ekstradimin."
Dhe vartësit që ia dalin mbanë shpërblehen me udhëtime në Dubai, fluturime, një javë në një hotel luksoz, etj.
Burimi ynë tregoi gjithashtu se si bandat shpesh zhvendosen në Dubai për të “përparuar” në karrierën e tyre. Ai tha: Në Dubai ekziston një komunitet trafikantësh droge të nivelit të lartë. Pra, nëse banda lëviz në këto qarqe të nivelit të lartë dhe krijon lidhje, ata marrin akses në informacion mbi portet, cilat lidhje transporti po përdorin dhe të gjitha llojet e tyre.
Dubai tek e fundit është parajsa e parave të pista./ZËRI