TIRANË-Komisariati Nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e Sori-Al, Alma Tafanin lidhur me ngjarjen e përsëritur ku 64 studentë u helmuan pas vaktit të darkës të shërbyer nga Sori-al.
Tafani ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata. Sipas saj çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës. Në pyetje gjithashtu është marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimin në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes si dhe studentët e helmuar, por ende asnjë person nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar përkohësit aktivitetin e SORI-Al, deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike. Rasti i helmimit është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Lidhur me rastin e përsëritur 'Sori-Al' në një deklaratë zyrtare është distancuar nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë.