
GRAMSH- Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi ka folur në lidhje me infektimin me salmonelë të fëmijëve në kopshtin publik numër 1 të Gramshit. Sipas tij, bëhet bëhet fjalë për disa raste të izoluara, ku disa fëmijë janë paraqitur në spital me simptoma të dyshimta. Ai theksoi se institucionet përgjegjëse, si ISHP dhe Policia, duhet të zbulojnë shkaqet dhe, nëse ka shkelje, të merren masat e nevojshme. Kryebashkiaku sqaroi se ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit.
Kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi: Në ditët e fundit është shfaqur një rast, më pas u bënë dy dhe 6, fëmijë nga i njëjti kopsht që morën ndihmë mjekësore në spitalin e Gramshit, Kjo na vuri në alert. Dua që nëpërmjet jush të sqaroj disa të pavërteta të mëdha në këtë histori tollovitje portalesh, nuk kemi të bëjmë me 672 raste helmimi, as me 72 fëmijë të shtruar apo helmim për shkak të ushqimit, sepse ende nuk kemi përgjigjen e analizave. Nuk kemi të bëjmë me raste abuzimi, por me një fakt që e dimë mirë të gjithë, që janë evidentuar disa raste me salmonelë në një kopsht publik. Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Ky është rasti i parë që ka ndodhur. Nuk e dimë ende se çfarë ka ndodhur sepse vijon hetimi. Jemi në alert për gjendjen shëndetësore të vogëlushëve. Fatmirësisht nuk kemi të bëjmë me një rast masiv.
Kreu i Bashkisë ka mohuar akuzat e prindërve, të cilët deklarojnë se ngjarja është fshehur. Sipas tij nuk ka patur tentativa të tilla apo presione. Sa i përket kompanisë e cila furnizon me ushqime kopshtin, Ajazi deklaron se nga 'Nelsa SHPK' nuk është pranuar asnjë ndonjë produkt ushqimor pa fletë analize. Sipas tij, kompania ka kryer të gjitha analizat e nevojshme dhe ushqimet janë në kushte të mira higjeno-sanitare.
Kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi: A mbulohet dielli me shoshë, jo? Nuk ka tentativë të tillë. Bashkia ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësia jonë nëpërmjet inspektorit tonë është në momentin që bëhet furnizimi me produktet ushqimore, kërkojmë fletën e analizave për çdo ushqim, dhe nuk është pranuar ndonjë produkt ushqimor pa fletë analize. Unë, më intereson gjendja shëndetësore e vogëlushëve, gjendja edhe shpirtërore e prindërve të tyre, por asgjë tjetër veç kësaj që nuk lidhet me këtë rast, por me protagonizmin lokal provincial të ndonjë palaçoje politik. Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit, di që procedura është e rregullt. Numri është diku te 60 e pak fëmijë në atë kopsht, fatmirësisht kemi vetëm atë numër të të prekurve, s’kemi përhapje. Besoj se s’do të kemi raste të tjera. Të dalë një që të thotë se kush ka bërë presion. Po shfrytëzon rastin e fëmijës së vet për të bërë politikë, s’do të doja të ndodhesha në atë situatë dhe të bëja politikë me rastin tim. Askush nuk ka bërë presion, asnjë lloj intimidimi. Është kopsht që i përmbledh të gjithë, punonjësit në shtet e privat, nuk ka asnjë pretendim të tillë të vërtetuar dhe të faktuar.