SHKODËR-Masakra që i mori jetën 2 personave dhe la të plagosur 2 të tjerë mëngjesin e sotëm në Shkodër, ka shënjestër Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, vëllai i Denis Bajroviç (Bajri). Dy vëllezër të njohur për lidhjet e tyre me krimin, njëri i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit i ekstraduar nga Dubai rreth një muaj më parë dhe tjetri, pre e atentatit mafioz!
Aktiviteti i vëllezërve dhe një pistë hakmarrje në mes...
Vëllezërit Denis dhe Erogen, janë pjesë e fisit Bajri, grup i cili ka një historik të përgjakshëm përplasjesh me fisin Lici, me një sagë të gjatë vrasjes mes të dy grupeve kriminale.
Denis Bajri u ekstradua nga Dubai në korrik të këtij viti. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit. Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e zbardhura të aplikacionit "SkyECC", si pjesë e grupit Bajri në Shkodër. Në mesazhet e shkëmbyera mes tyre, kuptohet se autorët e kanë kryer vrasjen për "llogari" të biznesmenit tashmë të zhdukur, Ervis Martinaj. Si shkëmbim, Martinaj do të hiqte qafe Kleant Musabelliun, por fatmirësisht kjo e fundit nuk arriti që të realizohej kurrë.
Pas vrasjes së Boriçit, vetë Denisi i shkruan Behar Bajrit: Gjoks e kry, kapedan. Mu blloku, se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka...
Erogen Vaso (Brajoviç), duket se ishte futur në rreth të kuq. Sot ai mbeti i plagosur me tre plumba dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Vaso është një emër i njohur në kryeqendrën e Veriut për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe për lidhjet e tij me krimin.
Në vitin 2023 emri i tij doli në dosjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesë e grupit të Bajrave. Gjithashtu, në vitin 2007 ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Por pas kësaj akuze ai iu fut politikës ku dhe shërbeu si anëtar i këshillit bashkiak me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që drejtohej nga Vangjel Dule.
Ndërkohë, viktimë e masakrës që tronditi Shkodrën mëngjesin e sotëm mbeti Armando Pali, ish- këshilltar bashkiak. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, pasi u transportua me urgjencë në spital në gjendje të plagosur, ndërroi jetë edhe Liridon Kraja, shoqërues i Erogen Vasos. Mes të plagosurve janë edhe një kamariere e lokalit ku ndodhi ngjarja, 25-vjeçarja Meri Kacerisi, si dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje.
Ragip Gila, autori i masakrës së sotme është vendosur në pranga. Dëshmia e tij pritet të hedhë dritë mbi pistën e hetimit./ZËRI

