Politikë

Himni shqiptar 'u harrua' në Pustes, Ministria e Jashtme: U shkel protokolli, simboli kombëtar s'duhet të jetë çështje politike

Ministria e Jashtme ka shprehur keqardhje për incidentin dhe deklaron se mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e mirësjelljes dhe protokollit

F.I
Himni shqiptar 'u harrua' në Pustes, Ministria e Jashtme: U shkel
pamje nga festivali Folklorik Maqedonas i zhvilluar në Pustec

TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, MEPJ, ka reaguar për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë një aktiviteti kulturor të zhvilluar ditën e djeshme në Pustec, ku i pranishëm ishte Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe Kryetari i Bashkisë, Pali Kolefski. Konkretisht në fillim të Festivalit Folklorik Maqedonas organizatorët kanë ekzekutuar vetëm himnin maqedonas, duke anashkaluar plotësisht luajtjen e himnit kombëtar shqiptar.

Ministria e Jashtme ka shprehur keqardhje për incidentin dhe deklaron se mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e mirësjelljes dhe protokollit, pasi ka pasur prezencë të përfaqësuesve të lartë si kryeministri i RMV dhe të zgjedhurit vendorë. MEPJ thkeson se respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi

REAGIMI:

MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona.

Lidhur me rastin kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski ka deklaruar se kishte kërkuar paraprakisht nga organizatorët që, krahas himnit maqedonas, të luhej edhe himni shqiptar. Sipas tij himni shqiptar duhet të ishte pjesë e ceremonisë, pasi aktiviteti zhvillohej në territorin e Shqipërisë. Megjithatë, pavarësisht kërkesës së tij, gjatë aktivitetit u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.

Poll

MOS HUMB