TIRANË-Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar shpërblim financiar për policin e rënë në krye të detyrës, Enea Mekolli, si dhe për efektivin e plagosur, Edison Adri. Përkatësisht 5 milionë lekë do të jepen për familjen Mekolli dhe 3 milionë lekë për familjen Adri.
Po ashtu Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se fëmija i efektivit të vrarë, do të përfitojë trajtim tjetër financiar të përmuajshëm derisa të shkojë në moshë madhore, sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Besfort Lamallari: Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimet për mbështetjen financiare të familjeve të dy efektivëve; Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli dhe Edison Adrit, i cili mbeti i plagosur në përballjen me krimin. Përkatësisht do të akordohen 5 dhe 3 milionë lekë të reja për familjet e tyre. Asnjë ndihmë nuk mund të zbusë dhimbjen për ngjarjen e rëndë, por shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre, me respekt, mirënjohje dhe mbështetje konkrete. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet. Krahas vendimit të sotëm, Ministria e Punëve të Brendshme po ndjek të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli sipas Ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor më 4 qershor
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur një ditë më parë 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI