TIRANË- Eglant Koçi rezulton i zhdukur që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa edhe pas rreth 6 ditësh, nuk ka ende asnjë gjurmë. Kanë qenë familjarët e tij ata të cilit kanë bërë kallëzimin për zhdukjen e tij, ndërsa vetëm dy ditë më pas, është marrë në pyetje Armand Shakaj, autori kryesor i dyshuar i ngjarjes.
Dëshmia e tij u zbulua nga prokurori i çështjes gjatë seancën së shqyrtimit të masës për të arrestuarin, Enea Zyferi.
“E kam njohur Eglant Koçin prej kohësh, pasi nëna e tij ka punuar më herët si sanitare...Ai më kishte treguar muajin e fundit (maj) se kishte shqetësime dhe kërcënime që lidheshin me aktivitetin e call center-ave, por më shumë nuk di, pasi nuk më ka thënë gjë tjetër”, ka deklaruar Shakaj.
Armand Shakaj, i njohur si 'Mand Dhelpra' është shprehur se nuk di asgjë për zhdukjen e tij, edhe pse ka pretenduar se e kishte takuar një ditë para zhdukjes, 3 qershor. Madje, ai është shfaqur i shqetësuar për zhdukjen e 34-vjeçarit.
Sakaq, pasi është marrë në pyetje, ai është lënë i lirë. Por, pas verifikimi të kamerave të sigurisë të lokalit të tij, ai është shpallur në kërkim. Nga indiciet dhe provat e dokumentuara deri më tani, Shakaj rezulton autori kryesor i pengamarrjes dhe zhdukjes së Eglant Koçit.