ITALI-Një shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është vrarë me armë zjarri gjatë një tentative vjedhjeje në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos në Itali.
Mediat e huaja raportojnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur pronari 35-vjeçar i banesës ka dëgjuar zhurma brenda shtëpisë dhe ka hapur zjarr në errësirë duke qëlluar ndaj personave që dyshohet se kishin hyrë në banesë me qëllim grabitjeje. Shqiptari mbeti i vdekur, ndërsa personat që e shoqëronin u larguan menjëherë pas të shtënave dhe aktualisht janë në kërkim.
Pak çaste më vonë, vetë pronari i shtëpisë telefonoi policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet emergjente, të cilat kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë shqiptarit, por ai nuk ka mundur të mbijetojë. Italiani 35-vjeçar shofer kamioni profesional, i cili ishte vetëm në pronën, e cila u përket prindërve të tij po hetohet për vrasje në gjendje të lirë.
Hetuesit do të duhet të përcaktojnë se nga ka qëlluar pronari, ku ndodhej shqiptari kur u qëllua, sa plumba u qëlluan dhe në cilin drejtim. Ata gjithashtu do të duhet të rindërtojnë sjelljen e grupit që hyri në pronë dhe të përcaktojnë nëse ka pasur ndonjë kontakt ose kërcënime para të shtënave.