Aktualitet

I akuzuar për korrupsion zgjedhor/ Seanca për Shkrelin, "zbërthehen" dëshmitarët: Kristiani s'na orentoi për votim...na solli dritat!

Banorë të fshatit Stajkë kanë dëshmuar para togave të GJKKO-së për takimet me Shkrelin dhe ndërhyrjet për energjinë elektrike dhe rrugën në zonë, teksa deklaruan se nuk janë orientuar nga ai për të votuar.

zh.ll
I akuzuar për korrupsion zgjedhor/ Seanca për Shkrelin,
kristian shkreli

TIRANË- GJKKO ka mbajtur sot seancën me dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga SPAK, në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i dyshuar për korrupsion zgjedhor. Banorë të fshatit Stajkë kanë dëshmuar para togave të GJKKO-së për takimet me Shkrelin dhe ndërhyrjet për energjinë elektrike dhe rrugën në zonë, teksa deklaruan se nuk janë orientuar nga ai për të votuar.

Nga ana tjetër, SPAK ka paraqitur komunikime telefonike dhe deklarime dëshmitarësh për të verifikuar nëse rregullimi i linjës elektrike ka qenë një procedurë institucionale e zakonshme apo një veprim i lidhur me interesa zgjedhore. Megjithatë, banorët kanë mohuar se iu është ofruar atyre përfitime apo kushte në këmbim të votës.

Dëshmitë:

“Nuk kam për çfarë përgjigjem, se ne kemi shkuar te Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike, jemi ankuar 5 veta. Faleminderit prej tij që na i ka pru dritat. Jemi takuar tek lokali i tij, në Kryebushat. E kam marrë në telefon, i kam thënë që dua me e taku, më ka thënë hajde me taku, por pas një jave besoj. Kam qenë me xhaxhain dhe familjarë të tjerë. Ne vajtëm tek Shkreli, se nuk njohim njeri tjetër, shkuam se ai është kryetar bashkie. E kemi takuar vetëm atëherë kur i jemi ankuar për energjinë, s’kemi diskutuar më as kemi folur me të që atëherë. Nuk jam orientuar për të votuar nga Kristian Shkreli. Unë kam shkuar për të votuar”, ka dëshmuar Alfred Martini.

Më pas SPAK ka vijuar me leximin e përgjimeve.

SPAK: Në 13 prill ju, dëshmitar, keni qenë nën përgjim, keni folur me Kristian Shkrelin. Po ashtu edhe një bisedë tjetër në datën 18 prill. Mund të më shpjegoni çfarë përfaqëson Toma? Kush është Toma?

Dëshmitari: Toma është Tom Doshi, ne s’kemi folur për interes. Me shku në miting, se kam kuptuar as qartë për çfarë. Nuk kishim asnjë interes.

SPAK lexon të tjera përgjime: “A do me ia nis punës me i pru njato drita, s’di a kanë pasur kontrolle këta te OSHE. Merri o burrë se dalim edhe në të këqinj o burrë se i kemi njerëzit në Mal të Zi, se kena me i sjellë nga atje. Fol o burrë se dalim edhe na keq.”

Dëshmitari: Në këtë moment ka folur vëllai im, ishim bashkë, unë e kam dëgjuar bisedën.

SPAK ka një bisedë të datës 23 prill: “Shkreli ju përgjigjet të premten vijnë ata, fillojnë punë se kanë porositë shtylla se s’kanë pasur, të premten vijnë me vinç e me shtylla për t’i vendosur.”

SPAK: Çfarë keni diskutuar në këtë bisedë?

Dëshmitari: S’kam më çfarë përgjigje me dhënë. Për këtë s’mërzitem, s’kam asnjë interes, është djalë i mirë, djalë i fjalës (i referohet Shkrelit).

SPAK: Ju keni bërë një bisedë me një numër të regjistruar në emër të Filip Bardelit, në datën 6 maj 2025.

“Hë Filip, u lodhe, a jeni mirë, u lodhët, na ka thirrë Kristiani, vjen nesër Toma tek ai ‘Angelo’ në 6 sahati të mbasdites. Tek Angelo, aty në Stajkë. Këtu tek lokali i dasmave, ato si keni kenë atë ditë, por vijnë edhe të tjerët. Mirë është me qenë aty se na duhet edhe për rrugë e për gjana të tjera. Njata që jena kanë të jena të paktën nesër. Hajt natën e mirë, i pafsh me jetë.”

Dëshmitari: Po, kemi shkuar tek mitingu që u zhvillua në Stajkë. Ata personat që ishim më parë. Ne vajtëm në shenjë respekti.

SPAK: Në datën 6 maj pasdite ju keni komunikuar me një numër tjetër.

“Nuk është punë fëmije, ne duhet me i dalë burrë atij burri, po s’i lë dot punët e mia, por as ai s’i lë punët e veta me të sjellë ty vota. Po marr një në vendin tënd, se s’kam çfarë me thënë, se u bëre dy herë që i ke dalë kundër.”

SPAK: Për çfarë bisedoni me shtetasin Jakë Bardheli?

Dëshmitari: I thashë me shku për respekt, se nuk është e ndaluar me shku nëpër mitingje.

Avokatja e Kristian Shkrelit: A ju ka ofruar diçka i mbrojturi prej meje, para, punë për veten, për gruan, për familjen, për ndonjë familjar?

Dëshmitari Alfred Martini: Jo, s’më ka ofruar asgjë. I kam kërkuar unë të na rregullojë linjën e energjisë elektrike. Shkreli s’më ka kërkuar asgjë në këmbim.

Dëshmitari Kol Martini: Kishim kohë pa drita, ku nuk ishim anku dhe s’kishim gjet zgjidhje. Në fund shkuam tek kryetari i bashkisë. Ne nuk na ka mësu Krisjan Shkreli për kë me votu. Ai na ka bërë atë nder se na ka sjellë dritat.

Dëshmitari Sajmir Zavani: Na është bërë një ankesë për punën e energjisë elektrike. Janë bërë punime shtylla dhe është bërë linjë e re, janë qenë shtylla të prishura. Ka pas ankesa tek portali i bashkëqeverisjes. Është bërë një projekt, sa shtylla duhet, ku duhet, ne ja kemi dërgu drejtorisë rajonale në Tiranë, faza e parë s’kam qenë unë kur është bërë. Kjo që ju thoni është faza e dytë. Quhet Remond jo investim, dmth quhet remond se e bën OSHE me punëtorët e vet. Se mbaj mend sa ka qenë shuma. Ne jemi vënë në lëvizje nga ankesa sa tek bashkëqeverisjes, ndërkohe që njerëzit në fshatra shkojë tek kryetari i bashkisë dhe flasin për halle. Kam marrë unë kryetarin në telefon dhe i kam kërku me na sjell një fadromë më na ndihmu me hap gropat që të mos i hapim me krah. Se ishim në pamundësi unë dhe punëtorët e mi. Kaq ka qenë e gjitha.

Dëshmitari Edmir Dedaj: Unë punoj pranë OSHE Shkodër, zona që mbuloj Pukë Fushë- Arrëz Vau Dejës. Kam pas shumë ankesa nga banorët e zonës. Se gjithmonë më thonin që kanë probleme në Stojkë. Unë kam bërë kërkesë pas kërkesë deri sa ka ardh një fazë e parë e bazës materiale në dhjetor dhe më pas ka ardh edhe faza e dytë.  Është bërë po ashtu edhe një fazë e dytë, por se mbaj mend si kohë. S’kam pas kontakt.

Dëshmitari Aramnd Zhuka: Jam drejtor i drejtorisë rajonale të  OSHE Shkodër. Jam në dijeni të remondit që është bërë në fshatin Stajkë. Rrejti ka qenë i amortizuar dhe nuk e përçonte siç duhet energjinë eklektike, kam qenë vënë në dijeni nga kryetari i bashkisë në lidhje me këtë problematike të fshatit Strajkë. Më kanë sjell foto punonjësit të linjës e cila ishte e amortizuar.  Pas kësaj janë marrë masat ne fazën e parë për të rregulluar fazat e parë gati 1 km. Sepse përgjithësisht remondet i bëjmë ne  ndërsa investimet kërkojnë miratim nga institucionet e tjera në Tiranës. Çdo gjë është bërë me vendimmarrje të kompanisë.

 

Hetimet e SPAK kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në muajin maj të vitit 2025, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Shkrelit ju sekuestrua telefoni celular ndërsa iu ushtrua edhe kontroll. Shkreli është i dyshuar për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se bleu vota për PSD-në e Tom Doshit. Së bashku me Shkrelin te dyshuar janë edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.

Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama. Para sekuestrimit të celularit, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur kryeministri Edi Rama ka ‘kritikuar’ nën zë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, Rama u ndal pak sekonda përballë Shkrelit dhe i tha: "Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!"/ZËRI

Poll

MOS HUMB