Aktualitet

I dënuar me 12 vite burg për dosjet “339” dhe “Volvo 4”, arrestohet në Belgjikë Jasin Avdyli

58-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar për përfshirjen në një grup kriminal të hetuar në kuadër të dosjes “Volvo 4”, ku mes akuzave ishte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has.

F.I
I dënuar me 12 vite burg për dosjet “339” dhe “Volvo
foto ilustruese

TIRANË-Jasin Avdyli alias Kala, i dënuar me 12 vite burg në Shqipëri në kuadër të dosjeve “339” dhe “Volvo 4”, për laboratorin e drogës në Has, është arrestuar në Belgjikë. Avdyli është ndaluar gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK, policisë shqiptare dhe autoriteteve belge. 58-vjeçari, i njohur si “Cinja” i Shijakut, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar për përfshirjen në një grup kriminal të hetuar në kuadër të dosjes “Volvo 4”, ku mes akuzave ishte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has.

Avdyli, u arrestua në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, u akuzua fillimisht për trafik droge, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Në vitin 2022, GJKKO e dënoi me 7 vite burg për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa në vitin 2023 Apeli e dënoi me 12 vite burg.

Hetimet për dosjen 339 nisën në 2016 dhu u finalizuan me operacionin e koduar "Volvo 4" më 22 tetor 2018, i cili u shtri në 12 qytete, ku u arrestuan 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Laboratori i drogës u gjet në fshatin Brenog në Has, ku u sekuestruan 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit me homologët në Belgjikë, finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Kapet në Belgjikë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GjKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike, në disa shtete.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë, e shtetasit:

-J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar, në Shqipëri.

Poll

MOS HUMB