TIRANË-Teksa ditën e sotme në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet gjyqi ku pritet të jepet vendimi pas kërkesës së bërë nga Erion Veliaj se ai është i njohur si kryetar bashkie nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të kthehet në detyrë, jashtë ambjenteve po mbahet një protestë nga një grup qytetarësh.
“O gjyqtar bëj drejtësi, lër Veliajn në qeli”, janë thirrjet e qytetarëve kundër lirimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj.
View this post on Instagram
Vendimi i gjykatës pritet të përcaktojë nëse masa e arrestit ndaj kryebashkiakut të Tiranës do të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet. Seanca zhvillohet në një kohë kur çështja ndaj Veliajt vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI