
BERAT- Një tjetër person është arrestuar në Berat në kuadër të hetimeve për atentatin e dështuar ndaj dy personave më 2 Janar 2025. Në pranga ka rënë 32-vjeçari Ani Hoxha, banues në Durrës. Ky i fundit i arrestuar, së bashku me 46-vjeçarin E.D. një ditë më parë, lëvizën automjetin tip Ford të autorëve nga Berati për ta fshehur në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e prokurorit, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Berat vunë në pranga shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Durrës. Ai dhe shtetasi E. D. (i ndaluar dje, në PKK Kakavije) dyshohet se kanë lëvizur nga Berati dhe kanë fshehur në Durrës, automjetin tip “Ford”, nga i cili dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, vëllezërit F. M. dhe M. M., në drejtim të shtetasve A. M. dhe A. Dh.
Vijojnë kërkimet për kapjen e shtetasve F. M. dhe M. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi ngjarja?
Dy vëllezër, të identifikuar si Fatjon dhe Marko Maloku qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj dy personave. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Donika Kastrioti”. Objektivi i sulmit ishin Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi, dy miq, të cilët u ndoqën me mjet nga dy vëllezërit dhe u qëlluan me breshëri.
Fatmirësisht Merkaj dhe Dhëmbi kanë mundur që të largohen me vrap drejt spitalit dhe u kanë shpëtuar plumbave edhe pse automjeti i autorëve i ka ndjekur nga pas për një kohë të gjatë. Sapo kanë mundur që të fshiheshin nëpër rrugicat e lagjes, dy miqtë kanë njoftuar menjëherë Policinë./ZËRI