Aktualitet

Atentati në Elbasan me 3 të plagosur! Sekuestrohen kamerat e sigurisë, gjenden 6 gëzhoja, efektivi jashtë shërbimit ndoqi autorin...

Gjatë arratisjes, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale.

F.I
Atentati në Elbasan me 3 të plagosur! Sekuestrohen kamerat e
PAMJE NGA VENDNGJARJA

ELBASAN-Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur me armë zjarri në një lokal në lagjen “Vullnetari”. Armand Tomorrica, 32-vjeç, Renaldo Mance, 31-vjeç dhe Bjorgi Hoxha, 19-vjeç, të cilët u qëlluan me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar kanë lënë spitalin vetëm dy orë pasi morën ndihmën mjekësore.

Në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e armës së përdorur.  Grupi hetimor ka siguruar pamje filmike nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe të bizneseve përreth, ndërsa janë marrë në pyetje edhe tre personat e plagosur, me qëllim rindërtimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Një element i rëndësishëm i ngjarjes është se në momentin e të shtënave, në ambientet e lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit. Menjëherë pasi ka dëgjuar krismat, ai ka dalë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Gjatë arratisjes, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, autori ka shkuar në lagjen “Vullnetari” dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tre të rinjve. Ai ka mundur të largohet në thellësi të lagjes, duke humbur gjurmët./ZËRI

Poll

MOS HUMB