
TIRANË-Kompania 'ONE Albania" ka reaguar për herë të parë tre muaj pas sulmit të ndodhur në një nga zyrat e saj mbrëmjen e 25 dhjetorit 2024, ku dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e pikës në Laprakë. Kjo ngjarje nuk u raportua te organet ligjzbatuese, ndaj policia e ka referuar në Prokurori ku ka nisur procedim penal për disa shtetas për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Në deklaratën e One Albania mohohet që kjo ngjarje të ketë ndonjë lidhje apo përkatësi politike apo qoftë edhe me ndonjë çështje tjetër juridike. Kompania telefonike thotë se informacionet e publikuara nga mediat janë "të rreme, të gabuara dhe keqinformuese".
Ata thonë se dy persona të maskuar kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në këto ambiente dhe kanë kaluar 23 minuta e 8 sekonda në disa korridore, para se të dilnin nga godina. Sipas tyre një roje sigurie i kontraktuar në detyrë, në këtë godinë, pavarësisht faktit se ishte regjistruar teksa ecte dhe kontrollonte, nuk arriti të zbulonte as personat që u futën të paautorizuar, as derën e dëmtuar të përdorur për hyrje të paligjshme. Kompania deklaron se i vetmi dëm fizik i identifikuar ishte dryni i derës së pasme, i cili u riparua menjëherë. One Albania thekson se nuk ka patur ndërhyrje të paautorizuar në asnjë nga servera, të dhënat konfidenciale të biznesit apo ato financiare.
Vetë punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, Gentian Koçi nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.
DEKLARATË ZYRTARE NGA ONE ALBANIA
Refuzim i pretendimeve të rreme të publikuara në shtyp për një hyrje të paautorizuar në zyrat e kompanisë, në Laprakë.
Në përgjigje të informacioneve të rreme, të gabuara dhe keqinformuese, të publikuara në shtypin dhe mediat shqiptare ditët e fundit, One Albania me anë të kësaj deklarate publikon të dhëna të disponueshme aktualisht për publikun mbi hetimin e brendshëm të kompanisë, i cili është urdhëruar të kryhet menjëherë pasi incidenti u bë i njohur. Krahas ekzaminimit, është dhënë urdhër të merren masa të menjëhershme, të rrepta në funksionimin dhe menaxhimin e One Albania.
Janë marrë masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën e kompanisë ofruese të shërbimit të sigurisë, e cila nuk ka njoftuar për hyrjen e paligjshme dhe për më tepër nuk ka bërë kallëzim në polici. Krahas këtyre veprimeve, drejtuesit tanë, profesionistët e sigurisë dhe të çështjeve ligjore vazhdojnë hetimet e brendshme për të përcaktuar dhe identifikuar përgjegjësit dhe ata që kanë shkelur procedurat që duhet të ndiqeshin në një incident si ky.
Faktet janë si më poshtë.
Një hyrje e paautorizuar me forcë fizike ka ndodhur ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor 2024, rreth orës 2:30 të mëngjesit në një nga zyrat e One Albania, në Laprakë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në këto ambiente dhe kanë kaluar 23 minuta e 8 sekonda në disa korridore, para se të dilnin nga godina. Një roje sigurie i kontraktuar në detyrë, në këtë godinë, pavarësisht faktit se ishte regjistruar teksa ecte dhe kontrollonte, nuk arriti të zbulonte as personat që u futën të paautorizuar, as derën e dëmtuar të përdorur për hyrje të paligjshme. Pamjet e sigurisë kapën të gjithë kohëzgjatjen e incidentit, gjë që konfirmon se personat u tërhoqën nga ndërtesa pa marrë asgjë, pa bërë ndonjë dëmtim apo vandalizëm dhe pas kontrolleve të brendshme të imtësishme nuk u raportua mungesa e ndonjë sendi.
One Albania zbardh të vërtetën në lidhje me ngjarjen e Laprakës si më poshtë:
• Kamerat e sigurisë ishin plotësisht funksionale dhe bënë regjistrimin e pamjeve të qarta që ndihmuan në rishikimin e incidentit.
• Regjistrimet e kamerave të sigurisë janë të plota, të arkivuara dhe të disponueshme për policinë.
• I vetmi dëm fizik i identifikuar ishte dryni i derës së pasme, i cili u riparua menjëherë.
• Nuk ka patur ndërhyrje të paautorizuar në asnjë nga serverët tanë, të dhënat konfidenciale të biznesit apoato financiare. Dhoma e serverit rreptësisht e siguruar u kontrollua dhe nuk ka patur asnjë hyrje, apo përpjekje për hyrje në atë zonë. Në asnjë moment infrastruktura jonë digjitale nuk është kompromentuar, dëmtuar apo vandalizuar.
• Infrastruktura jonë e rrjetit mbeti e paprekur dhe e sigurt, pa asnjë ndërhyrje të regjistruar.
• Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje apo përkatësi politikedhe në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me ndonjë çështje tjetër juridike. Çdo pretendim që hamendëson të kundërtën është plotësisht i pabazuar. Në kuadër të procedurave tona të brendshme janë marrë masa paraprake disiplinore ndaj punonjësve, që nuk respektuan protokollin dhe nuk arritën të përshkallëzojnë incidentin te drejtuesit e lartë. Gjithashtu, One Albania mori masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën me kompaninë e sigurisë, përgjegjëse për ruajtjen e ambienteve. Sistemet tona kanë mbetur të sigurta dhe plotësisht funksionale gjatë gjithë kohës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, ku dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e pikës 'ONE' në zonën e Laprakës, duke dëmtuar drynin e derës së pasme. Nën hetim janë vënë tetë persona, shtatë prej të cilëve janë punonjës të kompanisë që kujdesej për sigurinë e kompanisë, “Nazeri 2000” dhe punonjës sigurie të brendshme të kompanisë “ONE”. Nën hetim është vënë edhe Erald Sina, me detyrë Drejtues Departamenti Zyrave dhe Pasurisë në kompaninë ONE./ZËRI