LEZHË-Policia ka reaguar mbi incidentin e rëndë të ndodhur ndaj ish-kryetarit të PD Lezhë, Sokol Toma, i cili u dhunua barbarisht nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ndohi mbrëmjen e 9 majit 2026 në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ku ish-kryetari i PD në njësinë administrative Dajç, në Zadrimë, Sokol Toma u sulmua nga persona të maskuar.
Autoritet njoftojnë se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë, ndërsa po kryhen edhe veprime të tjera hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Toma u gjet rastësisht nga kalimtarët, në gjendje shoku. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, 53-vjeçari është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor. Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, autorët e ngajrjes i kanë thyer këmbët dhe i kanë prerë veshin.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 09.05.2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, në afërsi të kryqëzimit të Sanxhakut, ku shtetas ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, shtetasin S. T., 53 vjeç, banues në Lezhë, të cilit i kanë shkaktuar dëmtime në trup, sqarojmë se:
Menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive, ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në një territor të gjerë, dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI
